Zero tolerancë ndaj dhunës, një përgjigje e përbashkët për mbrojtjen e viktimave
29.09.2026 15:48
Viktimat e dhunës përballen me barriera sistematike dhe dobësi institucionale gjatë kërkimit të ndihmës pas përjetimit të dhunës...

Viktimat e dhunës përballen me barriera sistematike dhe dobësi institucionale gjatë kërkimit të ndihmës pas përjetimit të dhunës. Këtë e dëshmojnë edhe rrëfimet e drejtpërdrejta të grave, të dokumentuara në studim. Siç theksuan disa nga pjesëmarrëset gjatë prezantimit të raportit për dhunën me bazë gjinore, legjislacioni penal në lidhje me dhunën seksuale, fizike dhe psikologjike ndaj grave dhe fëmijëve është përshtatur me konventat ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara. Megjithatë, dominojnë ankesat e viktimave, ndërsa më pas vijnë rastet e raportuara që kanë rezultuar në procedime penale ndaj dhunuesve. Në numër shumë më të vogël janë rastet e trajtuara si kundërvajtje, përfshirë raportimet për dhunë në familje dhe dhunë me bazë gjinore.
“A do të marrim leksione si shoqëri nga rastet e viktimave që shënohen çdo ditë? Do të ecim seriozisht në rrugën: “Nuk ka tolerancë për dhunën ndaj grave.” Nuk ka: “Ajo e ka kërkuar vetë”, nuk ka: “Ashtu e ka pasur fatin”, nuk ka: “Vetë e ka zgjedhur”. Por, vërtet, si shoqëri, të mos lejojmë edhe më tej asnjë lloj dhune. Dhuna nuk duhet të minimizohet dhe as të privilegjohen dhunuesit, ndërsa gratë që durojnë dhunën të futen edhe më thellë në probleme, duke kërkuar një rrugëdalje në jetë.”, - deklaroi Stojanka Mirçeva nga Fakulteti i Sigurisë.
“Vetëm me persona të trajnuar, me trajnerë të certifikuar dhe me ekipe multisektoriale mund të ofrohet përgjigjja e duhur nga institucionet dhe nga të gjithë aktorët e tjerë, përfshirë organizatat joqeveritare, në krijimin e një përgjigjeje të koordinuar ndaj dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore. Ky projekt e dëshmon pikërisht këtë: duke u bashkuar të gjithë, kemi punuar së bashku. Përfitimi i parë ishte njohja me njëri-tjetrin dhe krijimi i rrjeteve të bashkëpunimit mes nesh. Më pas, u rritën njohuritë dhe kapacitetet tona përmes trajnimeve fillestare dhe më pas përmes trajnimeve të specializuara.”, - theksoi Nermina Fakoviq nga Ministria e Shëndetësisë.
Ligji parashikon 11 masa të përkohshme për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje, të cilat shqiptohen nga gjykata në procedurë civile. Qendrat për Punë Sociale kanë ofruar mbështetje dhe mbrojtje për 1.608 gra dhe fëmijë të mitur në vitin 2021, ndërsa në vitin 2024 ky numër është rritur në 1.836 persona. Nga këta, 1.810 janë të rritur, ku shumica dërrmuese janë gra, ndërsa 226 janë persona të mitur.
FARIJE DAUTI BAKIU
