Prokuroria kërkon 30 ditë paraburgim për 3 të dyshuarit për terrorizëm, trafikim armësh
29.09.2026 15:59
Prokuroria ka nisur hetim dhe ka kërkuar paraburgim për tre persona...

Pas aksionit të madh policor, i cili u zhvillua gjatë ditës së hënë, Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka nisur hetim dhe ka kërkuar paraburgim për tre persona, nën dyshimin se kanë kryer veprat penale terrorizëm dhe prodhim, mbajtje, ndërmjetësim dhe trafikim të paautorizuar me armë dhe lëndë shpërthyese.
“Prokurori publik kompetent nga Zyra e Prokurorit Publik të Departamentit të Hetimit Penal lëshoi Urdhër për të zhvilluar procedurë hetimore kundër tre personave për shkak të ekzistencës së dyshimit të bazuar se i dyshuari i parë ka kryer veprën penale "Terrorizëm", dhe së bashku me dy të dyshuarit e tjerë, veprën penale "Prodhim, posedim, ndërmjetësim dhe tregtim i paautorizuar me armë dhe eksplozivë". Urdhri për të zhvilluar procedurë hetimore bazohet në prova të marra gjatë një procedure paraprake hetimore të zhvilluar më parë, në dokumentacion dhe prova nga një çështje që është në fazën e gjykimit, si dhe prova të marra përmes ndihmës juridike ndërkombëtare.”, thuhet në komunikatën e PThP-NKOK.
Nga Prokuroria po ashtu kanë shpjeguar se duke pasur parasysh se janë përmbushur kushtet ligjore për përcaktimin e masës së paraburgimit, prokurori publik i paraqiti një propozim gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale - Shkup për të përcaktuar masën e paraburgimit për tre të dyshuarit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.. Ky aksion i MPB-së ishte zhvilluar pas informacioneve operative të marra më parë nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare, se një grup i organizuar vepronte në territorin e Maqedonisë. Personave u janë marrë edhe pajisje elektronike - celularë dhe laptopë. Pajisjet elektronike duhet të kontrollohen shtesë për të përcaktuar se çfarë lloj komunikimi kanë pasur personat, me kë kanë kontaktuar dhe nëse persona të tjerë kanë qenë të përfshirë në këtë rast.
FITIM KRYEZIU
