Të premten Von der Leyen në Shkup, Mickoski: Në tavolinë, zgjerimi dhe sfidat aktuale

29.09.2026 16:00

Mickoski thotë se vendi duhet të ketë parasysh rrethanat aktuale në vendet e Evropës...

Procesi i zgjerimit, situatat dhe sfidat aktuale në Evropë, pritet të shtrohen në tavolinën e bisedimeve të premten me shefen e ekzekutivit të Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, thotë kryeministri, Hristijan Mickoski. Me këtë rast, Mickoski thotë se vendi  duhet të ketë parasysh rrethanat aktuale në vendet e Evropës dhe krahas asaj të ndërtojë politikat për periudhën që vjen, duke përmendur fuqizimin e strukturave partiake që më parë nuk kanë qenë dominante në politikën evropiane.
 
“Do të bisedojmë rreth gjendjeve aktuale në suaza të procesit të zgjerimit, sfidat që ndodhën ndërkohë, sfidat që i presim në periudhën që vjen. E dini, kur bëni plan e strategji se çfarë politike do të udhëhiqni, duhet të keni parasysh ndodhitë në fqinjësi, fqinjësi e më gjerë, që është BE-ja.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Ideja për ndërmjetësues mes Shkupit dhe Sofjes, Mickoski: Mund të ketë efekt, dëgjohen argumentet
 
Në raport me Bullgarinë, Mickoski thotë se nuk ka komunikim personal, ndërkaq u ndal edhe tek ideja për ndërmjetësues në mosmarrëveshjet me Bullgarinë. E vlerëson  të ketë një mediator nga ana e BE-së, në mënyrë që kjo e fundit t’i dëgjojë argumentet e palëve.
 
“Është e logjikshme të bisedohet në prani të përfaqësuesve të BE-së, sepse duhet të dëgjohen argumentet në mënyrë objektive. Kështu, kur ulemi edhe ne dhe bisedojmë në baza bilaterale, si t’ua them: ajo që bisedohet nuk ka në thelb asgjë.  Vlerësoj se për të pasur ndonjë efekt, mirë është të ketë përfaqësues  nga ana e Komisionit Evropian, BE-ja, që t’i dëgjojnë argumentet. Nëse argumentet tona nuk mbajnë, atëherë ne jemi të gatshëm që t’i pranojmë argumentet tjera, por t’i dëgjomë argumentet… Jemi të gatshëm të ulemi e gjejmë mënyrë të tillë që është e nevojshme… Për ne ajo është diçka që paraqet konstancë dhe nuk ka ndryshim në qëndrim.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Progresi i vendit, Filipçe: Mickoski vendin e ka rrethuar me mure
 
Opozita maqedonase kritikon Mickoskin për, siç thonë, rrethimin me mure të vendit dhe mbajtje larg standardeve evropiane.
 
“Nuk kemi rrugë tjetër, përveç rrugës në Evropë. Ajo që Hristijani ndërton mur rreth vendit, që paraqitet si mbrojtës i interesave nacionale, është një gënjeshtër e  re e  madhe e tij, sepse zhvillimi dhe mirëqenia e qytetarëve është jashtë atij muri që ka ndërtuar ai.”, - u shpreh kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
 
Sa i përket reformave, Mickoski shtoi se Qeveria ka strategji e plan të qartë dhe punon në të, ndërkaq një pjesë tjetër e integrimit, sipas tij, nuk varet nga faktorët vendor.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU