Botë

Zgjedhjet në Shqipëri, nesër votohet për pushtetin lokal

20.06.2015 17:44

Në Shqipëri sot është heshtja zgjedhore, e cila u paraprin zgjedhjeve lokale të së dielës...

Në garë për zgjedhjet e nesërme janë 63 parti politike, shumica e të cilave janë grupuara në dy koalicionet më të mëdha: Aleanca për Shqipërinë Evropiane, të udhëhequr nga Partia Socialiste, dhe Aleanca për Punë dhe Dinjitet, e drejtuar nga Partia Demokratike.
 
Vëmendja është përqendruar kryesisht te gara për Tiranën, ku rivalë kryesorë janë kandidati i PS-së, Erion Veliaj, dhe ai PD-së, Halim Kosova.
 
Këto janë zgjedhjet e para me ndarjen e re territoriale ku Shqipëria është organizuar në 61 bashki, nga rreth 400 njësi vendore sa kishte paraprakisht.
 
Gara elektorale e së dielës monitorohet nga rreth 3 mijë vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë. Numrin më të lartë të vëzhguesve ndërkombëtarë, e ka ODIHR me 274 vëzhgues.
 
Në mbarvajtjen e procesit zgjedhor të 21 qershorit do të angazhohen edhe gjashtë mijë punonjës policie.
 
Të drejtë vote për zgjedhjet e 21 qershorit kanë 3 miljon e 382 mijë e 295 votues, të shërndarë në 5 mijë e 299 qendra votimi në të gjithë Shqipërinë.