Botë

Ukrainë, valë e re sulmesh ruse, tensionet rriten

29.09.2026 16:55

Ukraina është përballur me një valë të re sulmesh masive ruse gjatë natës...

Ukraina është përballur me një valë të re sulmesh masive ruse gjatë natës, vetëm pak ditë pas bombardimeve vdekjeprurëse të fundjavës. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paralajmëroi gjithashtu për vazhdimin e bashkëpunimit ushtarak mes Rusisë dhe Koresë së Veriut.
 
“Kemi gjithashtu informacione të reja për përfshirjen e trupave të Koresë së Veriut në Rusi: më shumë se 8.000 ushtarakë koreano-veriorë ndodhen aktualisht në territorin rus. Përveç kësaj, po përgatitet edhe një kontingjent tjetër prej 10.000 trupash për t’u dërguar. Ata aktualisht po përzgjidhen për trajnim dhe më pas do të transferohen në Rusi.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
 
Sipas autoriteteve ukrainase, sulmet ruse po afrohen gjithnjë e më shumë me kufirin e NATO-s. Kryeministri polak Donald Tusk ka deklaruar se incidente të tilla janë bërë një dukuri e vazhdueshme.
 
Ndërkohë, NATO-ja ka bërë të ditur se do të rrisë mbështetjen për Ukrainën. Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm rus ka akuzuar Evropën se po zhvillon luftë kundër Rusisë duke e furnizuar Ukrainën me armë. 
 
“Nëse e pranoni se armët tuaja po përdoren për të na goditur ne dhe më pas ne i rrëzojmë ato, quajeni si të doni, unë nuk kam absolutisht asnjë dyshim se kjo është një luftë që Evropa po zhvillon kundër nesh. Këtë e kemi thënë prej kohësh.”, - theksoi ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov.
 
Ndërsa bombardimet vazhdojnë, përpjekjet diplomatike për t'i dhënë fund luftës mbeten aktive. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje paqeje, ajo ende nuk është finalizuar, ndërsa sulmet e fundit dëshmojnë se luftimet vijojnë me intensitet dhe se konflikti mbetet larg një zgjidhjeje.
 
SARA KAJOLLI