Kulturë
Mbështetje për kulturën në vitin 2027, hapet thirrja për projektet kulturore
30.09.2026 11:56
Ministria e Kulturës ka hapur shpalljen vjetore për financimin e projekteve me interes publik në disa sektorë të caktuar të kulturës për vitin 2027...

Ministria e Kulturës ka hapur shpalljen vjetore për financimin e projekteve me interes publik në disa sektorë të caktuar të kulturës për vitin 2027. Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, tha se këto projekte do ta pasurojnë ofertën kulturore të vendit, do të krijojnë mundësi për profesionistët e fushës dhe do të kontribuojnë në promovimin e kulturës së vendit. Sipas Sulejmanit, përveç financimit të projekteve cilësore, dikasteri që ai drejton vazhdon të qëndrojë pas artistëve dhe institucioneve kulturore, duke promovuar vlera dhe profesionizëm, por njëkohësisht duke kërkuar edhe përgjegjësi dhe cilësi në realizimin e projekteve që do të lënë gjurmë në historinë dhe kulturën e vendit.
Qeveria dhe Ministria e Kulturës, tha Sulejmani, do të vazhdojnë të mbështesin krijuesit dhe institucionet kulturore, ndërsa përmes konkursit synohet që përparësi t’u jepet projekteve serioze, të konceptuara mirë dhe me potencial për të lënë gjurmë afatgjata. Thirrja është hapur deri më 30 tetor, ndërsa aplikimi do të bëhet në mënyrë elektronike përmes portalit kombëtar uslugi.gov.mk, aplikimet e dorëzuara përmes postës nuk do të shqyrtohen.
“Në kuadër të konkurseve do t’u japim përparësi të qartë projekteve serioze, të konceptuara mirë dhe të qëndrueshme, të cilat kanë kapacitet të lënë gjurmë afatgjata, qoftë përmes bashkëpunimit institucional, shtrirjes rajonale, afirmimit ndërkombëtar apo zhvillimit të publikut të ri. Gjithashtu, me interes të veçantë presim projekte që do të realizohen në zonat kufitare. Njëkohësisht, jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e nismave më të vogla. Edhe ato do të vazhdojnë të kenë vendin e tyre, veçanërisht kur dëshmojnë cilësi të lartë artistike, inovacion dhe lidhje të qartë me komunitetet lokale. Politika jonë është gjithëpërfshirëse, por edhe e përgjegjshme. I mbështesim të gjithë ata që krijojnë vlera dhe profesionalizëm.”, - u shpreh ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani.
Sa i përket dhënies me qira të kompleksit përkujtimor “Makedonium” në Krushevë për xhirimin e videoklipit të këngëtarit kosovar Don Xhoni, për rreth 500 euro, ministri Sulejmani tha se rasti po shqyrtohet, nuk bëhet fjalë për shkelje të ndonjë procedure, por nuk e përjashtoi mundësinë që në të ardhmen të bëhen ndryshime ligjore, nëse paraqitet nevoja për rregullimin më të qartë të mënyrës së shfrytëzimit të objekteve të tilla.
“Si ministër, jam përgjegjës që t’i mbrojmë dhe t’i mbështesim të gjithë artistët dhe të gjithë punonjësit e kulturës. Kemi një rast konkret para nesh, i cili është vërtet i ndjeshëm, por për këtë do të duhet të shohim me shërbimet juridike se si mundemi dhe si duhet të veprojmë më tej. Nëse duhet të bëjmë ndonjë ndryshim ligjor, do ta bëjmë. Sepse, siç thatë edhe ju, ata kanë të drejtë ligjore ta japin me qira objektin, por megjithatë drejtorët duhet të kenë kujdes kur i japin objektet me qira dhe duhet ta dinë saktësisht se çfarë programesh dhe me çfarë përmbajtjeje do të zhvillohen. Pra, ky është problemi i ri, edhe pse videoklipi është xhiruar më herët. Ende nuk kam informacione të detajuara dhe jemi në proces. Do të shohim dhe së bashku me Qeverinë do të vendosim se si do të veprojmë më tej.”, tha Sulejmani.
Videoklipi i Don Xhonit është publikuar para dy muajsh, ndërsa është xhiruar shumë më herët. Pas reagimeve të shumta në mediat maqedonase se si është e mundur që një kompleks i tillë kulturor të jepet me qira për xhirime të këngëtarëve, ditë më parë u prononcua edhe drejtori i muzeut, Miha Odzaklieski, i cili tha se Bordi Drejtues ka miratuar vendim që hapësira të mund të jepet për xhirime kundrejt një kompensimi financiar. Ai theksoi se në kompleks nuk janë xhiruar skena eksplicite dhe me shtretër, siç është raportuar nga një pjesë e mediave maqedonase. Sipas tij, pagesa prej rreth 500 eurosh ishte përcaktuar për pesë deri në gjashtë orë xhirim.
REXHEP QAMILI
