Maqedoni
Gjykata Penale, mungesa e stafit mbetet problem
30.09.2026 12:21
Mungesa e stafit gjyqësor dhe e anëtarëve të jurisë mbetet një nga problemet kryesore me të cilat përballet Gjykata Themelore Penale e Shkupit...

Mungesa e stafit gjyqësor dhe e anëtarëve të jurisë mbetet një nga problemet kryesore me të cilat përballet Gjykata Themelore Penale e Shkupit. Megjithatë, gjykata shënon ulje të ndjeshme të numrit të lëndëve të vjetra, si dhe trend të rënies së vjetërsimit të lëndëve penale. Këto të dhëna u thanë në brifingun e sotëm me gazetarët në Gjykatën Penale. Aktualisht, në këtë gjykatë janë 53 gjyqtarë, ndërsa tetë prej tyre janë mbi moshën 59-vjeçare dhe pesë kanë kaluar moshën 64 -vjeçare. Përfaqësuesit e gjykatës thonë se kjo nënkupton se në tre vitet e ardhshme një pjesë e konsiderueshme e gjyqtarëve do të dalin në pension, ndërsa problem mbetet edhe mungesa e gjeneratave të reja nga Akademia. Situata me personelin është edhe më e rëndë në administratë dhe te stafi mbështetës. Nga 628 vendet e parapara me sistematizim, aktualisht janë të plotësuara vetëm 208. Për funksionimin e gjykatës angazhohen 18 nëpunës gjyqësorë, dy punonjës teknikë dhe shtatë higjienistë.
Vetëm gjatë vitit 2026, 13 punonjës janë pensionuar, ndërsa nga viti 2020 deri në vitin 2025 numri i të punësuarve është ulur në 131 persona. Problem tjetër për zhvillimin e rregullt të proceseve gjyqësore është mungesa e anëtarëve të jurisë. Për funksionimin normal të gjykatës nevojiten 70 anëtarë jurie, ndërsa aktualisht janë aktivë 52, prej të cilëve 17 janë zgjedhur së fundmi. Pavarësisht sfidave të personelit, Gjykata informon për përparim të ndjeshëm në efikasitet dhe tejkalimin e ngarkesës së çështjeve të ngecura.
Ndërsa në gusht 2025 kishte 896 raste të vjetra, në gusht 2026 ky numër u zvogëlua në 368 raste, me rënien më të madhe në rastet e kundërvajtjeve dhe sanksionet.
Në brifing u paraqitën gjithashtu të dhëna mbi vjetërsimin e rasteve penale në vitet e fundit. Në vitin 2022, 16 raste u vjetërsuan, në vitin 2023 - 18, në vitin 2024 - 26 raste dhe në vitin 2025 - 20 raste. Për nëntë muajt e vitit 2026, gjashtë raste penale u vjetruan. Arsyeja për vitet 2025 dhe 2024, siç theksojnë ata është ndryshimi i Kodit penal.
Në Departamentin e specializuar i cili është me interes për publikun, në vitin 2022 nuk ka vjetërsim, në vitin 2023 ka nëntë, në vitin 2024 nuk ka asnjë, në vitin 2025 tre dhe në vitin 2026 nuk ka raste të vjetruara. Edhe këtu, siç u tha në brifing, vjetrimi i lëndëve është për shkak të ndryshimeve në Kodin Penal.
REXHEP QAMIL
