Maqedoni

Lufta kundër korrupsionit, kërkohet më shumë kontroll dhe transparencë

30.09.2026 13:41

Korrupsioni nuk mund të parandalohet plotësisht, por ai mund të reduktohet në një nivel të pranueshëm...

Korrupsioni nuk mund të parandalohet plotësisht, por me institucione funksionale, kontroll më të mirë dhe raporte të rregullta të auditimit, ai mund të reduktohet në një nivel të pranueshëm, tha kryerevizori shtetëror Maksim Acevski, në konferencën rajonale për parandalimin e korrupsionit dhe vlerësimin e rreziqeve të korrupsionit në Ballkanin Perëndimor, që po mbahet në Shkup. Sipas Acevskit, raportet e Entit Shtetëror të Revizionit duhet të shërbejnë si mekanizëm konkret për zbulimin e parregullsive dhe ndërmarrjen e masave nga institucionet kompetente. 
 
“Enti Shtetëror i Revizionit në mënyrë të vazhdueshme mban evidencë për aktivitetet e ndërmarra dhe raporton për to në raportet vjetore. Nëse e vëreni, në shtatë faqet e para të Raportit Vjetor për punën e Entit Shtetëror të Revizionit për vitin 2025, raportojmë për masat e ndërmarra dhe rekomandimet e dhëna. Kjo përqindje është diku rreth 85% për masat e ndërmarra dhe rekomandimet e dhëna. Kjo nuk do të thotë se çdo institucion ka vepruar sipas rekomandimeve të dhëna. Ende kemi nevojë për përmirësime dhe organet kompetente vazhdojnë të kenë detyrimin për t’i zbatuar rekomandimet e dhëna.”, - deklaroi kryerevizori shtetëror, Maksim Acevski.
 
Në konferencë u theksua edhe rëndësia e ndryshimeve në Ligjin për Revizionin Shtetëror dhe forcimi i rolit të Kuvendit në mbikëqyrjen e rekomandimeve të auditimit.
 
“Raportet e Entit Shtetëror të Revizionit janë gjithashtu objekt shqyrtimi në Kuvend, përkatësisht nga grupet e punës që ushtrojnë mbikëqyrje mbi shpenzimin e mjeteve buxhetore. Gjithashtu, është në procedurë projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Revizionin Shtetëror. Presim që gjatë shqyrtimit të këtij projektligji të zhvillohet një diskutim i mirë dhe, ndoshta, të propozohen edhe amendamente të caktuara. Qëllimi ynë është që ta forcojmë më tej integritetin e Entit Shtetëror të Revizionit, si një organ profesional dhe i pavarur.”, - theksoi nënkryetari i Kuvendit, Antonio Miloshoski.
 
Reduktimi i korrupsionit është gjithashtu pjesë e procesit të përafrimit të vendit me Bashkimin Evropian, ndërsa forcimi i institucioneve, transparenca dhe kontrolli i shpenzimit të parasë publike mbeten elemente të rëndësishme në këtë proces.
 
FARIJE DAUTI BAKIU