Maqedoni
Për luftën kundër mbeturinave, Gjorgjievski kërkon polici komunale
30.09.2026 14:14
Gjorgjievski tha se inspektorati i kryen përgjegjësitë e tij, por theksoi se sistemi ekzistues ka kufizime....

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, informoi se në periudhën e kaluar, gjoba me vlerë mbi 80.000 euro janë shqiptuar ndaj personave juridikë që kanë trajtuar mbeturinat në mënyrë të papërgjegjshme, duke shtuar se për të luftuar në mënyrë më efikase me fenomene të tilla, është e nevojshme të krijohet një polici komunale. Duke iu përgjigjur pyetjes gazetareske në lidhje me zbatimin e ndalimit të hedhjes së mbeturinave pas orës 22:00, Gjorgjievski tha se inspektorati i kryen përgjegjësitë e tij, por theksoi se sistemi ekzistues ka kufizime.
“Na mungon absolutisht policia komunale, për të cilën presim që Ligji për Vetëqeverisje Lokale të votohet në Parlament, dhe, edhe njëherë apeloj që kjo të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur. Ndonjëherë nuk mjafton vetëm të gjobitësh, edhe shuma e gjobës është shumë e rëndësishme...Disa qytetarë besojnë se është më lirë për ta të paguajnë gjobën sesa të hedhin siç duhet mbeturinat e rënda në deponinë "Drisla", prandaj Qyteti planifikon që çdo javë t'i hedhë këto mbeturina falas për të gjithë banorët e Shkupit.”, - deklaroi kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski.
Gjorgjievski po ashtu theksoi se në territorin e Qytetit të Shkupit filluan një eko-aksion të madh,të përkrahur edhe nga komunat e vendit në të cilin do të marrin pjesë disa mijëra vullnetarë, përfshirë edhe nxënësit e shkollave të vendit.
“Ky aksion ka për qëllim që të kemi ambient më të pastër dhe më të shëndetshëm në të cilin jetojmë, prandaj janë kyçur edhe shkollat dhe ka karakter edukativ, sepse e dimë se sado që të punojnë ndërmarrjet publike në terren, çdoherë paraqiten persona të caktuar që hedhin mbeturina në vende jo adekuate.”, - theksoi kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski.
Gjorgjievski shtoi se Qyteti i Shkupit mbetet i përkushtuar ndaj transparencës së plotë dhe se të gjitha të dhënat e detajuara mbi numrin e gjobave të shqiptuara janë të disponueshme përmes inspektoratit të qytetit.
VLORA LATIFI TOPOJANI
