Rajon
Ndryshimet në Ligjin për Specialen, Kurti: Mendimi i Qeverisë, brenda javës
30.09.2026 14:55
Institucionet e Kosovës do ta bëjnë të pamundurën për korrigjimin në Apel të aktgjykimit të Speciales në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së...

Institucionet e Kosovës do ta bëjnë të pamundurën për korrigjimin në Apel të aktgjykimit të Speciales në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sipas të cilit, deklarata e miratuar me 99 vota për në Kuvendin e Kosovës rreth Aktgjykimit është vetëm hapi i parë i përbashkët, që, më shumë sesa krijon efekt juridik, është shprehje e vullnetit të popullit nëpërmjet deputetëve. Kurti njëherësh paralajmëroi se brenda javës Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Financave do ta kenë gati mendimin rreth nismës së PDK-së për ndryshime në ligjin për themelimin e speciales.
“Brenda kësaj jave do ta kemi përgjigjen edhe si mendim të zyrës ligjore të Ministrisë së Drejtësisë, gjithashtu edhe vlerësimin financiar të departamentit të buxhetit të Ministrisë së Financave dhe menjëherë më pas do t’ia japim përgjigjen Kuvendit të Republikës dhe aty pastaj do të vazhdojë procedura.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kurti: Kosova nuk e ka luksin të shkojë në zgjedhje
Kurti njëherësh thekson se destabiliteti institucional në rrethanat aktuale nuk duhet vazhduar, prandaj ai paralajmëron takime me krerët e PDK-së dhe LDK-së për konsensus rreth zgjedhjes së presidentit.
“Është e domosdoshme që të kemi takime të reja. Në njërën anë na duhet strategji shtetërore për të pandehurit në Hagë që padrejtësisht u shpallën fajtorë dhe në anën tjetër nuk besoj se duhet të kemi destabilitet të mëtejmë institucional në këtë situatë kur me 99 vota për e arritëm një dakordim të përgjithshëm dhe tash të hyjmë në rivalitete të ashpra të fushatave zgjedhore, nuk besoj se është punë e mençur nga e cila do të përfitonte ndokush përveç kundërshtarëve të Kosovës.”, - theksoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kosova nuk e ka luksin të humbë kohë në kriza të panevojshme dhe zgjedhje, tha Kurti, duke shtuar se më shumë se kurrë vendit i duhet stabiliteti institucional, që të ketë mundësi të marrë përgjegjësitë që e presin, me detyra e funksione të shumta, përfshi krijimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, që të mund të triumfojë mbrojtja juridike dhe përballja diplomatike në botë.
PDK-ja lëshon mbledhjen e komisioneve, kërkon futjen në procedurë të Ligjit për Specialen
Ndërkohë Grupi Parlamentar i PDK-së i ka lëshuar mbledhjet e komisioneve parlamentare, duke kërkuar procedimin e projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Për Partinë Demokratike të Kosovës, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, në funksion të mbrojtjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duhet të jetë prioritet mbi prioritetet. Konsiderojmë që ky duhet të jetë prioritet edhe për të gjitha partitë politike.”, - u shpreh Blerta Deliu Kodra nga PDK.
Pa marr parasysh qëndrimet politike, për t’i shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, partitë politike janë të detyruara që deri më 6 nëntor të arrijnë marrëveshje për zgjedhjen e presidentit, në të kundërtën Kosova do të shkojë automatikisht në zgjedhje.
GYLTENE SINANI
