Vazhdon gjykimi për “Lotarinë Shtetërore”, mbrojtja kundërshton akuzat e Prokurorisë
30.09.2026 18:39
Gjykimi për rastin “Lotaria Shtetërore” vazhdoi...

Gjykimi për rastin “Lotaria Shtetërore” vazhdoi me paraqitjen e provave materiale nga Prokuroria në të cilën akuzohen ish-zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi dhe ish-drejtori i "Lotarisë Shtetërore", Përparim Bajrami, si dhe gjashtë persona të tjerë. Prokuroria paraqiti dokumente për themelimin e ndërmarrjes së përbashkët me partner të huaj, vendimet qeveritare dhe transaksionet për blerjen e terminaleve të videolotarisë. Mbrojtja kundërshtoi pretendimet e Prokurorisë, duke thënë se aparatet nuk ishin elektronike, se shteti nuk ka pësuar dëm dhe se asnjë nga të akuzuarit nuk ka përfituar personalisht nga transaksioni.
“Vërejtja jonë thelbësore është se ajo marrëveshje që ka Kazino Austria, ka ekskluzivitet vetëm tek aparatet elektronike të lojërave të fatit, ndërsa për dallim prej automatëve ose lojërave të fatit në mënyrë elektronike këtë ekskluzivitet nuk e ka, as në marrëveshjen e nënshkruar me Kazino Austria, por as në marrëveshjen që është nënshkruar gjatë themelimit të kësaj ndërmarrjeje.”, - deklaroi avokati, Elenko Millanov.
Prokurorët nuk u deklaruan lidhur me pretendimet e mbrojtjes, por e udhëzuan atë të lexojë ligjin dhe të informohet se çfarë konsiderohet aparat elektronik i lojërave të fatit. Në seancën e mëparshme, Prokuroria paraqiti 231 prova, me të cilat pretendon se ka dëshmuar para gjykatës fajësinë e ish-drejtorit të Lotarisë, Përparim Bajrami, ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi dhe gjashtë të pandehurve të tjerë për një transaksion të paligjshëm në vlerë prej 9.7 milionë eurosh.
FITIM KRYEZIU
