Shasivari takoi grupin e punës për Kodin Zgjedhor, mungoi LSDM-ja, partitë tjera, shprehën qëndrimet
30.09.2026 18:41
Shasivari gjatë takimit me përfaqësuesit politikë diskutoi...

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, gjatë takimit me përfaqësuesit politikë diskutoi qëndrimet e tyre për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, por në takim nuk mori pjesë LSDM-ja, e cila bojkotoi ftesën. Shasivari tha se mungesa e këtij subjekti relevant politik ishte një hendikep për takimin, ndërsa njoftoi se për takimin e radhës do të ftohet edhe Filipçe. Sipas tij, shumica e çështjeve në grupin e punës tashmë janë harmonizuar, por procesi duhet të përfundojë me konsensus, ndaj mungesa e cilitdo subjekt politik mund të pengojë përmbylljen e tij.
“Qëllimi i takimit të sotëm ishte që të dëgjohen të gjithë pjesëmarrësit në këtë grup pune, që të shprehin edhe njëherë qëndrimet…Më duhet të them se është arritur në sukses i konsiderueshëm për shkak se për pjesën më të madhe të tekstit ka pajtueshmëri. Tani mbetet që këtij procesit t’i japim edhe gjasën e dytë në të ardhmen në kuptim që të gjithë pjesëmarrësit të jenë të pranishëm në tryezë dhe të vazhdojë dialogu edhe puna e grupit të punës për çështjet të cilat kanë mbetur hapur.”, - deklaroi ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari.
BDI-ja siguroi dhënien e kontributit, sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR për ndryshime në kodin zgjedhor. Sa i përket organizimit të zgjedhjeve, janë pro idesë për një njësi zgjedhore.
“Për ne është e pranueshme një njësi zgjedhore. Është edhe një nga propozimet tona, por kishte propozime të ndryshme dhe konform metodologjisë që në fillim e patëm vendosur. Nëse nuk ka harmonizim, konsensus, mbeten zgjidhjet ekzistuese, sipas Kodit Zgjedhor në fuqi.”, - theksoi Blerim Bexheti nga Fronti Evropian.
Për përfaqësuesit e partive maqedonase, mosprani e LSDM-së me 18 ulëse në Kuvend është jodemokratike, aq më tepër kur LSDM-ja ka dorëzuar mijëra amendamente në Kuvend për këtë çështje. Mes tjerash, shprehën pikat e tyre ku mbeten të njëjtë në qëndrim.
“Në raport me votimin e diasporës vlerësojmë se është e drejtë kushtetuese që shteti t’u mundësojë votim çdo shtetasi, pa marrë parasysh vendit ku jeton, dhe, me teknologjinë e sotme, vlerësojmë se këtë të drejtë duhet ta shfrytëzojë diaspora, jo vetëm ta shfrytëzojë, por edhe t’i lehtësohet.”, - theksoi deputeti i VMRO-së, Antonio Milloshovski.
“Dua që në emër të Lëvizjes “E di” të shpreh shqetësimin e madh të mosardhjes së sërishme të LSDM-së në këtë takim, sepse, pikërisht mungesa e tyre flet për mungesë të kapacitetit demokratik dhe nga sot vlerësoj se tashmë e vunë në bixhoz edhe shansin e fundit që të argumentojnë dhe kritikojnë se dikush i ngadalëson procesin reformues.”, - u shpreh Vesna Bendevska nga Lëvizja “E di”.
“Për fat të keq shohim se LSDM-ja nuk është pranishme. Kjo tregon një lloj të papjekurisë politike dhe jo demokracisë… Qëndrimet tona janë të qarta, dy çështje për të cilat angazhohemi: zgjedhjet e ardhme në një njësi zgjedhore dhe shpërndarje lojale të mjeteve për reklamim të paguar politik.”, - theksoi Borisllav Kërmov nga E Majta.
Përkujtojmë se më 15 korrik të vitit të kaluar, RMV-ja lëshoi trenin për realizimin e reformës zgjedhore, ndërsa si kërkesë është pjesë e Agjendës së reformave, vonesat e së cilës rrezikojnë fonde të rëndësishme për vendin.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
