Maqedoni

Universiteti i Tetovës, Seminari Ndërkombëtar i Albanologjisë

30.09.2026 15:47

Edicioni i 20-të Jubilar Seminari Ndërkombëtar i Albanologjisë...

Edicioni i 20-të Jubilar Seminari Ndërkombëtar i Albanologjisë nisi punimet në UT me temën “Zhvillimet gjuhësore, letrare, historike dhe kulturore shqiptare”.
 
Në kuadër të punimeve të këtij seminari, vëmendje të veçantë zë promovimi i Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe 2025. Seminari dëshmon se ky universitet vëmendje të veçantë i kushton gjuhës dhe letërsisë shqipe, u tha nga të pranishmit.
 
“Momenti i veçantë është fakti që këtë vit bëjmë promovimin e fjalorit të madh dhe, siç e potencuan edhe parafolësit e mi në këtë edicion, edhe ne kemi kontributin tonë. Gjithashtu edhe ne marrim pjesë në projektet madhore të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe, gjithsesi, e shfrytëzuam momentin që të diskutojmë për intensifikimin e këtyre bashkëpunimeve, të cilët në të ardhmen do të jenë po ashtu edhe më produktive dhe më frutdhënëse.”, - deklaroi rektori i UT-së, Kushtrim Ahmeti.
 
“Ajo që filloi në vitin 2006, ne sot e shënojmë këtë përvjetor duke pasur kryefjalë të seminarit promovimin e një nga veprat më të rëndësishme leksikografike shqiptare, siç është Fjalori i madh i gjuhës shqipe, dhe këtu shfrytëzoj rastin që të përshëndes kryetarin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe profesorët të cilët do flasin pikërisht për këtë vepër kapitale.”, - theksoi drejtori i Seminarit, Berton Sulejmani.
 
“Në iniciativën e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, bashkëpunim me Akademinë e Kosovës, pastaj ku janë ftuar gjithë qendrat kërkimore dhe arsimore shqiptare, përfshirë dhe Universitetin e Tetovës, u ndërmorën tre projekte madhore që janë enciklopedia, fjalori dhe historia shqiptare.”, - u shpreh kryetari i ASh-së i Shqipërisë, Skënder Gjinushi.
 
Në ditën e parë ishin paraparë 16 kumtesa nga studiues shqiptarë nga vendi dhe trojet shqiptare. Studiuesi Arbëresh Françesko Perri ishte pjesë e këtij seminari me kumtesën “Arbëria e Italisë: Ruajtja arkivore, dinamikat demografike dhe sfidat e oralitetit – një model për mbrojtjen e identitetit”.
 
“Jam arbëresh nga Italia, flas arbëresh, flas shqip. Jam këtu në bashkëpunim me Universitetin e Tetovës, bashkë me profesorin Shabanin, kemi kontakte nga Universiteti i Tetovës e nga katundet arbëresh të Italisë. Shkenca ka dhënë kontribut të veçantë në zhvillimin e arsimit në përgjithësi.”, - deklaroi studiuesi arbëresh, Françesko Perri. 
 
Zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, vlerëson se seminaret e këtilla janë dëshmi e punës serioze të studiuesve shqiptarë dhe UT-së.
 
“Ministria e Arsimit i kushton rëndësi të veçantë zhvillimeve të shkencës, sepse vetëm duke investuar në shkencë dhe duke zhvilluar atë ne mund të llogarisim se do të kemi edhe një zhvillim të përgjithshëm, edhe si komb shqiptarët në Maqedoni, po edhe si shtet në tërësi.”, - theksoi zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani.
 
Në edicionin e 20-të të Seminarit Ndërkombëtar të Albanologjisë po marrin pjesë profesorë të njohur, studiues, gjuhëtarë nga të gjitha trevat shqiptare, për të dhënë një kontribut shkencor në fushat e gjuhësisë, letërsisë, historisë, etnokulturës, gazetarisë dhe medias. 
 
VISAR SADIKI