ShBA-ja largohet nga Iraku, milicitë sfidojnë çarmatimin
Pas më shumë se dy dekadash...

Pas më shumë se dy dekadash, prania ushtarake amerikane në Irak merr fund. Trupat e fundit të Shteteve të Bashkuara janë larguar nga vendi, duke i hapur rrugë forcave irakiane të marrin kontrollin e plotë të bazave të mbetura nën administrimin amerikan.
Megjithatë, zëdhënësi i një prej fraksioneve të armatosura irakiane kundërshton çdo përpjekje për çarmatim, duke e lidhur mbajtjen e armëve me sovranitetin e vendit dhe duke paralajmëruar se grupet nuk do të pranojnë kompromis për këtë çështje.
“Për çështjen e parë, ne nuk pranojmë debat dhe e kundërshtojmë çdo diskutim për këtë çështje. Asnjë qeveri nuk ka të drejtë të pengojë ekzistencën dhe vazhdimësinë e këtyre fraksioneve, pasi ato janë pjesë e popullit irakian.”, - deklaroi zëdhënësi i grupit të armatosur irakian, Kataeb Sayyid Al-Shuhada, Kazem Al-Fartoussi.
Sipas Pentagonit, forcat irakiane të sigurisë do të marrin përgjegjësinë kryesore për sigurinë e vendit dhe luftën kundër mbetjeve të ISIS-it.
Uashingtoni e sheh gjithashtu praninë e milicive të lidhura me Iranin si një sfidë për sovranitetin dhe stabilitetin e Irakut, ndërsa synon një marrëdhënie më të qëndrueshme sigurie me Bagdadin dhe mbështetjen e një Iraku të fortë e sovran. (Sara Kajolli, TVM2)
