Maqedoni

Rruga evropiane në qendër të debatit, Qeveria e palëkundur në qëndrimin e saj

30.09.2026 17:54

Në prag të vizitës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen...

Në prag të vizitës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kryeministri Hristijan Mickoski thotë se qëndrimi i Qeverisë është i qartë dhe se janë të gatshëm për dialog e zgjidhje. I pyetur për akuzat e opozitës, Mickoski deklaroi se nuk ia vlen të komentohet opozita. 
 
“Atë pjesë të opozitës nuk do të doja ta komentoja. Ndërsa qëndrimi ynë është i qartë, argumentet tona janë të qarta, ne jemi të gatshëm të bisedojmë, të debatojmë dhe në fund të ditës të gjejmë një zgjidhje.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Ndërkaq, ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, tha se historia mbetet pjesë e identitetit të vendit, por nuk duhet të pengojë të ardhmen evropiane.
 
“Çështja nuk është se a është e rëndësishme historia. Ajo është e rëndësishme dhe gjithmonë do të jetë pjesë e asaj që jemi. Çështja e vërtetë është se a do të lejojmë që interpretime të ndryshme të së kaluarës të kufizojnë të ardhmen tonë të përbashkët. Për ne, anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet një përcaktim strategjik. Procesi i anëtarësimit duhet të transformojë shoqërinë tonë, të forcojë institucionet tona dhe të krijojë më shumë mundësi për qytetarët tanë.”, - theksoi ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski.
 
Opozita, ndërkohë, akuzon Qeverinë se po e shtyn procesin e integrimit. Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, një ditë më parë tha se kërkesat e e Mickoskit për ndihmë dhe ndërmjetësim nga Bashkimi Evropian janë vetëm justifikim dhe se kryeministri nuk ka qëllim ta vazhdojë rrugën evropiane të vendit.
 
ERSAN PAJAZITI