Rritet numri i lëndëve, gjykatat përballen me mungesë kuadri

30.09.2026 18:30

Në tremujorin e dytë gjykatat nuk kanë arritur të përballojnë fluksin e lëndëve të reja...

Në tremujorin e dytë gjykatat nuk kanë arritur të përballojnë fluksin e lëndëve të reja dhe rritjen e numrit të lëndëve të pazgjidhura që janë rreth 2.127 sosh. Kështu u konstatua në seancën e Këshillit Gjyqësor, i cili miratoi raportet tremujore mbi punën e gjykatave në periudhën prill-qershor 2026. Sipas raporteve, gjykatat e filluan tremujorin e dytë me 147.288 lëndë të pazgjidhura, morën 121.909 lëndë të reja, dhe kishin gjithsej 269.197 lëndë në punë. Gjykatat po përballen edhe me mungesën e kuadrit, por zgjidhja, sipas tyre, nuk është që gjyqtarët të delegohen nga një gjykatë në gjykatën tjetër. 
 
“Prej atje ku marrim gjyqtarë, shndërrohen gjykata të paazhuruara, ndërsa gjykatat të cilat i pranojnë, fillojnë të funksionojnë, por kjo është vetëm për ta shuar zjarrin përkohësisht, ashtu siç i kemi shuar zjarret gjatë kohës së verës.”, - deklaroi anëtarja e Këshillit Gjyqësor, Antoaneta Dimovska.
 
E gjithë kjo që po ndodhë në gjykata po reflektohet tek qytetarët, të cilët kanë filluar ta kërkojnë drejtësinë e tyre.
 
“Kjo është arsyeja edhe për prishjen e raporteve ndërnjerëzore, si në mes të punësuarve brenda institucionit, ashtu edhe në mes gjykatësve. Por të shpresojmë që ky problem me punësimin e kuadrove të reja të zgjidhet, sepse lëndët gjatë kohë po presin edhe në Gjykatën e Apelit, dhe me shumë të drejtë palët po reagojnë.”, - theksoi kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski.
 
Nga Këshilli Gjyqësor po ashtu apeluan se në disa gjykata kemi më shumë polici gjyqësore sesa persona të autorizuar, dhe me të drejtë pyesin se çka ndodhi me 200 punësimet të cilat ishin premtuar. 
 
“Do të më vinte keq nëse këto nuk realizohen dhe të mos reagohet pas shprehjes së nevojës për kuadro të reja, por unë jam optimist se deri në fund të vitit do të realizohen, edhe pse ato nuk do t’i zgjidhnin të gjitha problemet.”, - u shpreh anëtarja e Këshillit Gjyqësor, Xheneta Bektoviq.
 
Këshilli Gjyqësor vlerëson se mungesa e kuadrit dhe rritja e numrit të lëndëve të pazgjidhura vazhdojnë të rëndojnë punën e gjykatave, ndërsa zgjidhja pritet përmes punësimeve të reja.
 
FITIM KRYEZIU