Botë
Hegseth emëron Musk në task-forcën për të ardhmen e luftës
01.10.2026 13:31
Miliarderi i teknologjisë Elon Musk pritet të marrë një rol drejtues në një projekt të ri të Pentagonit që do të shqyrtojë të ardhmen e luftës...

Miliarderi i teknologjisë Elon Musk pritet të marrë një rol drejtues në një projekt të ri të Pentagonit që do të shqyrtojë të ardhmen e luftës, njoftoi sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth.
Duke folur para personelit ushtarak në bazën e Korpusit të Marinës amerikane në Quantico, Virxhinia, Hegseth tha se Musk dhe sipërmarrësi i teknologjisë së dronëve Palmer Luckey do të jenë ndër drejtuesit e nismës, të quajtur “Project Meridian”.
Pentagoni pret që projekti të paraqesë përfundimet e tij brenda 120 ditësh.
Sipas Hegseth, synimi është të shqyrtohet në mënyrë krijuese e ardhmja dhe të identifikohen fushat ku SHBA-ja duhet të arrijë epërsi, si dhe kapacitetet teknologjike që duhet të zotërojë.
Sekretari i Mbrojtjes foli gjithashtu për luftën autonome, që nënkupton përdorimin e sistemeve të armëve dhe inteligjencës artificiale (IA) që mund të funksionojnë dhe të kryejnë sulme pa ndërhyrje të drejtpërdrejtë njerëzore.
“Duhet të shikojmë përpara drejt së ardhmes për të arritur epërsi teknologjike dhe ushtarake në fushëbetejë për dekadat e ardhshme”, tha Hegseth.
Ai njoftoi gjithashtu krijimin e një Komande të re me katër yje për Luftën Autonome, e cila do të synojë zgjerimin e përdorimit të sistemeve autonome dhe robotike në ushtrinë amerikane.
Debati i Pentagonit për armët autonome
Çështja e armëve autonome të fuqizuara nga IA është vënë së fundmi në qendër të vëmendjes për shkak të një konflikti mes Pentagonit dhe kompanisë amerikane të IA-së Anthropic.
“Anthropic” ka refuzuar të lejojë përdorimin e teknologjisë së saj për armë autonome ose mbikëqyrje masive të qytetarëve amerikanë, ndërsa Pentagoni ka këmbëngulur se duhet të ketë mundësi ta përdorë IA-në për çdo qëllim të ligjshëm.
