Botë
Drama në fluturimin Tel-Aviv, Dubai, nga pasagjer i zakonshëm në hero kombëtar
01.10.2026 14:28
Nga një pasagjer i zakonshëm në hero kombëtar...

Nga një pasagjer i zakonshëm në hero kombëtar, ky është Yaniv Hayun, një nga katër burrat në fluturimin Dubai, Tel Aviv, të cilët arritën të hyjnë në kabinën e pilotimit, të neutralizojnë sulmuesin dhe të shpëtojnë rreth 180 persona.
“Piloti, pavarësisht plagëve, arriti ta hapte derën e kabinës. Hymë bashkë me një person tjetër, e kapëm sulmuesin dhe e nxorëm jashtë. Më pas tërhoqa komandat prapa dhe avioni filloi të nivelohej. Piloti më tha se nga ai moment ai do ta merrte përsëri kontrollin.”, - u shpreh pasagjeri, Yaniv Hayun.
Dy anëtarë të ekuipazhit që ishin në detyrë më pas arritën ta ulnin avionin në mënyrë të sigurt në Arabinë Saudite. Piloti indian Smith Machar, i cili u sulmua dhe u godit me thikë, është shtruar në spital, ndërsa sulmuesi është ndaluar nga autoritetet. Të gjithë pasagjerët më vonë mbërritën të sigurt në Izrael.
“Kishim frikë se brenda mund të kishte edhe një terrorist tjetër, ndaj vendosëm disa persona të tjerë në pjesë të ndryshme të avionit, në mënyrë që të ishim në gjendje ta merrnim nën kontroll nëse do të ishte e nevojshme.”, - theksoi pasagjeri që ndërhyri gjatë incidentit, Shota Musaev.
“Ishte shumë e frikshme! Në atë moment ndjen se gjithçka ka mbaruar dhe se nuk je më në mesin e të gjallëve.”, - tha pasagjeri i fluturimit të Flydubai, Haim Lazarovich.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i cilësoi pasagjerët dhe pilotin heronj, duke theksuar se ishte parandaluar një katastrofë e mundshme e ngjashme me sulmet e 11 shtatorit.
“Bashkëpiloti aktualisht po merret në pyetje në Arabinë Saudite. Ne do ta ndjekim hetimin dhe mund të marrim pjesë edhe në të. Do të zbulojmë se çfarë ka ndodhur. Por, nuk është sekret që Irani dëshiron të godasë izraelitët jashtë vendit dhe vetë Izraelin. Ekzistonte mundësia që të ndodhte një tjetër sulm i ngjashëm me atë të 11 shtatorit.”, - deklaroi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu.
Hetimi për incidentin vazhdon. Kompania ajrore Flydubai njoftoi se ka pezulluar fluturimet drejt Izraelit dhe se po bashkëpunon me autoritetet në kuadër të hetimit.
SARA KAJOLLI
