Maqedoni

Filipçe porosi Mickoskit: Mendo mirë çfarë do t’i thuash Von der Lejenit

01.10.2026 14:38

Dyert e Evropës janë të hapura për anëtarësim për Shqipërinë dhe Malin e Zi, por jo edhe për Maqedoninë...

Dyert e Evropës janë të hapura për anëtarësim për Shqipërinë dhe Malin e Zi, por jo edhe për Maqedoninë, ka deklaruar kreu socialdemokrat Venko Filipçe. Njëherësh ai ftoi kryeministrin që të mendohet mirë se çfarë do t’i thotë në takimin e së premtes presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila do të qëndrojë në Shkup.
 
“Deri në vitin 2030 është e hapur dera në Evropë. Vende anëtare do të bëhen Shqipëria, Mali i Zi, Ukraina dhe Moldavia. Ne nuk jemi, ndërsa Hristijan Mickoski ende aktron patriotin. Do ta mbronte emrin, gjuhën, kulturën, identitetin. Gjithçka është ruajtur në marrëveshjet ndërkombëtare. Ata këtë e pranojnë. Hristijanin e porosis të mendohet mirë, nëse ka nevojë sonte mos të flejë. Çfarë do t’i thotë nesër Von der Leyen-it? Mos të luaj me ardhmërinë e vendit, sepse mund ta dënojnë gjeneratat e ardhshme.”, - deklaroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
 
VMRO-DPMNE kritika LSDM-së dhe Filipçes: Prioritet i keni bullgarët në Kushtetutë
 
Kanë reaguar nga VMRO-DPMNE-ja, nga e cila thonë se LSDM-ja dhe Filipçe janë kundër çdo gjëje, ata janë për atë që “fillimisht bullgarët në Kushtetutë, pastaj gjithçka tjetër”.
 
“Filipçe thotë, fillimisht bullgarët në Kushtetutë, pastaj gjithçka tjetër. E dimë mirë se momenti i tradhtisë është karakteristikë e tyre, por kjo tregon se është në horizont një marrëveshje për një tradhti të re. Kjo hap një sërë dilemash dhe pyetjesh, ndër të cilat kryesorja është nëse ka komunikim mes Rumen Radevit dhe Zaevit? Më pas shtrohet edhe pyetja pse Filipçe nuk flet për mbrojtjen e identitetit maqedonas? Opinioni meriton të dijë nëse vërtet pas këtij qëndrimi të Filipçes qëndron ndonjë marrëveshje e re biznesi. Ndërsa llumi i LSDM-së, Filipçeja dhe mësuesi i tij dinë vetëm të shesin gjithçka maqedonase që t’u kalojnë interesat e tyre të biznesit, VMRO-DPMNE-ja ka qëndrim të qartë. VMRO-DPMNE-ja është për Maqedoninë në BE, por nuk pranon asgjë që bëhet nën diktatin e Sofjes zyrtare.”, - theksoi Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
 
Në prag të vizitës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kryeministri Hristijan Mickoski ka deklaruar se qëndrimi i Qeverisë është i qartë, janë të gatshëm për dialog dhe për gjetjen e një zgjidhjeje. Së fundmi kryeministri ka kërkuar që BE-ja t’i ndërmjetësojë negociatat me Bullgarinë.  
 
REXHEP QAMILI