Sedlloski përballet me statistika negative, Maqedonia me fillimin më të keq në Ligën e Kombeve

01.10.2026 15:17

Maqedonia është duke debutuar në segmentin B...

Maqedonia është duke debutuar në segmentin B, dhe në nisjen e këtyre garave ka regjistruar fillimin më të keq në historinë e paraqitjeve të saj në Ligën e Kombeve. Dy ndeshje, dy humbje dhe asnjë gol i shënuar – ky është bilanci i kuqeverdhëve pas dy xhirove të para të këtij edicioni. 
 
Pas humbjes 0:3 në shtëpi ndaj Zvicrës, Maqedonia u mposht edhe në transfertë nga Sllovenia me rezultatin 2:0. Kështu, pas dy ndeshjeve, përfaqësuesja ka zero pikë, zero gola të shënuar dhe golaverazh 0:5. Një bilanc i tillë nuk ishte regjistruar më parë nga Maqedonia pas dy xhirove të para të Ligës së Kombeve. 
 
Në edicionin e parë, në vitin 2018, Maqedonia e nisi garën me dy fitore. Në sezonin 2020/21 kishte grumbulluar katër pikë pas dy ndeshjeve, ndërsa në edicionin 2022/23 kishte një pikë. Edicionin e katërt e kishte nisur me katër pikë.  Në krye të përfaqësueses është Goce Sedloski, për të cilin ky është edicioni i parë i Ligës së Kombeve që po drejton ekipin përfaqësues nga pankina. Fushata e tij  në  si shef i stafit teknik  po shoqërohet me një tjetër statistikë negative: Maqedonia ka mbetur pa shënuar në gjashtë ndeshje radhazi, një seri që  shkon në 607 minuta pa gol të shënuar. 
 
Goli i fundit i Maqedonisë erdhi në transfertën ndaj Uellsit, në humbjen 7:1. Që nga ajo ndeshje, rrjeta kundërshtare nuk është tundur.  Fitorja e fundit e Maqedonisë, shtë ajo me 7 shtator 2025, kur në Shkup me 5:0 e mundi Lihtenshtajnin. Tashmë për Maqedoninë vjen një tjetër përballje, këtë herë në Shkup ndaj Skocisë. Përfaqësuesja do të kërkojë pikët e para, por edhe fundin e serisë së gjatë pa gol. Ndeshja ndaj skocezëve do të jetë edhe një mundësi për Sedlloskin dhe futbollistët e tij që ta ndryshojnë statistikën negative dhe të marrin frymë pas një starti që, deri tani, është më i dobëti i Maqedonisë në historinë e saj në Ligën e Kombeve. Ndeshja Maqedoni–Skoci luhet të shtunën në Shkup, me fillim nga ora 20:45. (Gazetar: Safet Ademi)