Maqedoni
Aksion i ASK-së, MPB-së dhe Prokurorisë, nën hetim rrjeti i propagandës ruse
01.10.2026 15:36
Agjencia për Siguri Kombëtare njoftoi se së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Prokurorinë Publike...

Agjencia për Siguri Kombëtare njoftoi se së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Prokurorinë Publike, po ndërmerr aktivitete kundër një rrjeti propagandistik në vend, i cili, sipas saj, ka “agjendë destruktive dhe keqdashëse” dhe ndikon në diskursin publik në favor të interesave të huaja, konkretisht atyre ruse. Sipas ASK-së, më 18 shtator janë ndërmarrë veprime hetimore ndaj një shtetasi të Maqedonisë së Veriut, i lidhur me faktorë të huaj që qëndrojnë pas një aparati propagandistik me rrjet portalesh të integruara në hapësirën mediatike në vend. Identiteti i tij nuk bëhet i ditur. Gjatë bastisjes në shtëpinë e tij janë sekuestruar sende që po i nënshtrohen ekspertizës. ANB-ja dyshon për tri vepra penale: “Shkaktimi i urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit kombëtar, racor dhe fetar”, sipas nenit 319, “Zbulimi i sekretit zyrtar”, sipas nenit 360, si dhe “Përhapja e materialit racist dhe ksenofobik përmes sistemit kompjuterik”, sipas nenit 394-g të Kodit Penal.
“Aktorët e vërtetë të këtij rrjeti propagandistik, që është në funksion të interesave ruse, fshihen përmes pseudoportaleve të klonuara, të regjistruara me domene maqedonase të internetit. Përmes këtyre pseudoportaleve përhapen lajme të rreme dhe dezinformata, si dhe bëhet riformësimi i narrativave për ngjarjet aktuale, duke minuar kështu besimin te institucionet dhe duke nxitur urrejtje dhe mosdurim etnik e kombëtar.”, njoftoi ANB-ja.
Nga Agjencia shtojnë se këto aktivitete janë vazhdimësi e “aktiviteteve hibride proruse, të penguara më parë”, ndërsa ndaj një shtetasi maqedonas të lidhur me këto rrjete ishte ngritur edhe më herët kallëzim penal për përhapje të materialit racist dhe ksenofobik përmes sistemit kompjuterik.
ERSAN PAJAZITI
