Prokuroria Themelore Publike, pesë mjekë akuzohen për vdekjen e 40-vjeçares
01.10.2026 17:30
Për shkak të neglizhencës mjekësore, një paciente 40-vjeçare humbi jetën në qershor të vitit 2024....

Për shkak të neglizhencës mjekësore, një paciente 40-vjeçare humbi jetën në qershor të vitit 2024. Për këtë rast, Prokuroria Themelore Publike në Manastir ka ngritur aktakuzë ndaj pesë mjekëve internistë të Spitalit Klinik “Dr. Trifun Panovski”, të cilët i akuzon për vepra të rënda kundër shëndetit të njerëzve. Pacientja ishte paraqitur në spital me dyshimin për tromboflebit, të ngritur nga mjeku amë. Por, pas kontrollit fillestar, pa anamnezë të plotë dhe analiza të detajuara, ajo ishte diagnostikuar me artrit reumatoid dhe ishte lëshuar në shtëpi me terapi.
“Si rezultat, nuk ishte përcaktuar në kohë gjendja e saj e vërtetë shëndetësore, përkatësisht nuk ishte zbuluar dhe diagnostikuar tromboza dhe nuk ishte ndërmarrë me kohë terapia dhe trajtimi i duhur për këtë gjendje. Kështu, ishte humbur mundësia reale për zbulimin dhe trajtimin në kohë të procesit trombotik, për parandalimin ose kufizimin e përparimit të tij, si dhe të përkeqësimit të mëtejshëm të gjendjes shëndetësore të pacientes.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Por, problemet shëndetësore të pacientes vazhduan dhe gjendja e saj u rëndua ndjeshëm. Më 1 qershor, ajo u rikthye në spital me dhimbje të forta në bark dhe gjendje të përkeqësuar. Edhe pse u shtrua për trajtim, sipas Prokurorisë, gjatë ditëve në vijim nuk u kryen ekzaminimet e nevojshme për të zbuluar shkakun e gjendjes së saj. Më 4 qershor, pacientja kërkoi ndihmë në një klinikë private në Shkup, ku u pranua në gjendje të rëndë shëndetësore. Gjatë ndërhyrjes urgjente u konstatua trombozë e arterieve mezenterike, ndërsa gangrena kishte përfshirë plotësisht zorrën e hollë dhe të trashë. Gjendja tashmë ishte e paoperueshme dhe një ditë më vonë, më 05.06.2024, pacientja ndërroi jetë, thuhet në njoftimin e Prokurorisë. Pesë mjekët tani përballen me aktakuzë për vepra të rënda kundër shëndetit të njerëzve. Përgjegjësia e tyre do të përcaktohet në procedurën gjyqësore.
FARIJE DAUTI BAKIU
