Arsimi universitar, sot filloi viti i ri akademik

01.10.2026 17:36

Me organizimin e orës së parë akademike, në universitetet e vendit filloi viti i ri akademik 2026/2027...

Viti i ri akademik nis sot zyrtarisht. Mijëra studentë u rikthehen universiteteve, për disa është rikthim për disa është për herë të parë, por për të gjithë është një hap drejt së ardhmes së ndritur. Ceremoni për fillimin e vitit të i ri akademik u organizuan edhe në dy universitetet publike në gjuhën shqipe në vend, në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup dhe Universitetin e Tetovës.
 
“Kjo ditë shënon fillimin e një etape të rëndësishme në jetë, një rrugëtim në të cilin do t’i zgjeroni dijet, do t’i zbuloni aftësitë tuaja dhe do të ndërtoni themelet e së ardhmes suaj profesionale.”, - deklaroi rektori i Universitetit “Nënë Tereza”, Bekim Fetahu.
 
“Ju uroj të gjithëve një vit akademik të suksesshëm produktiv dhe frymëzues. Le të jetë ky një vit i dijes, i kërkimit, dialogut dhe ideve të reja.”, - theksoi prorektori në UNT, Fati Iseni.
 
“Sot nuk jeni thjeshtë studentë që po regjistroheni në një fakultet, sot po hapni një kapitull të ri të jetës, një kapitull në të cilin do të mësoni profesione, do të fitoni dije dhe aftësi, por mbi të gjitha do të mësoni të mendoni në mënyrë të pavarur, të bëni pyetje, të kërkoni përgjigje dhe të besoni në potencialin tuaj.”, - u shpreh zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani.
 
“Bota do t’ju hapë shumë rrugë, ndiqeni, shiheni botën, mësoni prej saj, por kudo që të shkoni mos harroni vendin tuaj, që ka nevojë për punën, dijen dhe karakterin tuaj.”, - u shpreh ambasadori i Shqipërisë në RMV, Denion Mejdani.
 
Studentët e rinj thonë se kanë zgjedhur drejtimet e preferuara, me të cilat mendojnë se mund të sigurojnë edhe vende pune. 
 
“Drejtimin e Psikologjisë. (Pse pikërisht këtë drejtim?) Mendoj se nevojitet pak më shumë të zgjerohet studimi i psikologjisë, pasi mendoj se secili njeri ka nevojë për degën e psikologjisë. Besoj se është një studim human për t’u ndihmuar njerëzve që nuk mund të shprehen gjithkund, do të mund të shprehen tek ne.”, - tha një studente.
 
“Fakultetin e Shkencave Teknike. Është një fakultet deficitarë dhe ka nevojë për punë, puna është e sigurt dhe e mirë.”, - u shpreh një student.
 
“Teknologji ushqimore, për drejtimin Bio-Kimi. Jam viti i parë. E kam gjetur veten këtu, pasi që edhe në shkollë të mesme ishte drejtim profesional dhe m’u përshtat më tepër.”, - theksoi një studente.
 
Duke folur në ceremoninë e mirëseardhjes për studentët e vitit të parë në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, përcolli urime për të gjithë studentët. Ajo theksoi se studentët janë potenciali më i madh që ka vendi. 
 
“Ju jeni profesionistët e ardhshëm, inovatorët dhe liderët që do ta ndërtojnë ardhmërinë e këtij vendi. Forca juaj është te rinia, energjia dhe entuziazmi dhe ajo do të rritet në mënyrë plotësuese nëpërmjet njohurive që do t’i fitoni.”, - deklaroi ministrja e Arsimit, Vesna Janevska.
 
Me porosi për studentët edhe kryeministri Hristijan Mickoski dhe presidentja e vendit, Gordana Siljanovska Davkova. 
 
“Le të jenë të suksesshme këto vite, në shoqërim, fitimin e njohurive dhe mësimit. Inspirohuni nga bukuritë e atdheut tuaj, Maqedonisë. Punoni për ju, për familjet tuaja, për vendin, sepse vend më të mirë në botë nuk kemi.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski. 
 
“Ky jo vetëm që është vend dinjitoz për jetë rinore, por është edhe vend për garë. Por, më e rëndësishmja, sipas meje për studentët, është të ushtrojnë dhe të besojnë në mendjen kritike.”, - u shpreh presidentja, Gordana Siljanovska Davkova.
 
Viti i ri akademik ka filluar edhe për studentët e Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”. Profesoresha Ajtene Qamili thotë se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri akademik, por interesimi i studentëve për t’u regjistruar në Katedrën e Gjuhës Shqipe dhe Fakultetin Filologjik në vend ka qenë i ulët.    
 
“Kemi një rënie drastike të numrit të studentëve. Numri i saktë ende nuk dihet, sepse ende bëjnë transfero, por është një numër shumë i vogël në krahasim me vitet tjera dhe kohën kur kemi regjistruar nga 150 studentë për secilin vit. Në përgjithësi kjo rënie është në gjithë Fakultetin e Filologjisë.”, - theksoi profesoresha universitare, Ajtene Qamili.
 
Në studimet universitare në vend aktualisht studiojnë mbi 53 mijë e 500 studentë, ndërsa vitin e parë të studimeve e kanë filluar rreth 13 mijë e 800 studentë të rinj. 
 
FITORE NAGAVCI