Maqedoni

Raporti i Entit Shtetëror të Revizionit, “Termini im“ pa mirëmbajtje, rrezik për sigurinë

01.10.2026 16:03

Sistemi “Termini im“, për gati 38% të kohës, ose 738 ditë, ka funksionuar pa mirëmbajtje...

Sistemi “Termini im“, për gati 38% të kohës, ose 738 ditë, ka funksionuar pa mirëmbajtje. Sistemi që menaxhon terminet e pacientëve ka qenë për më shumë se dy vjet pa kontratë mirëmbajtjeje, duke paraqitur rrezik serioz për sigurinë dhe menaxhimin e tij, konstaton Enti Shtetëror i Revizionit. Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, nuk e konteston raportin, por për arsyet pse është lejuar kjo gjendje thotë: “Pyesni njerëz të tjerë!”. Ndërkohë, ai paralajmëron plan veprimi dhe ndërhyrje të mëdha në digjitalizimin e shëndetësisë.
 
“Nuk mund të them se në raport ka ndonjë gabim apo pasaktësi. Raporti është dhënë, ne e kemi konfirmuar dhe gjendja është e tillë. Pse është kështu, mund të pyesni njerëz të tjerë. Kur na u dorëzua drafti, kërkova që të përgatitej një plan veprimi. Prezantuam një draft-strategji për digjitalizimin në shëndetësi dhe planifikojmë ndërhyrje të mëdha në fushën e digjitalizimit, si dhe rritjen e mëtejshme të produktivitetit të sistemit shëndetësor dhe rritjen e kënaqësisë së pacientëve. Pa prova në atë fushë nuk mund të ketë rezultate. “Termini im” është pjesë qendrore e kësaj çështjeje.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
 
Klekovski tha se ka kërkuar nga shërbimet në Ministri përgatitjen e një thirrjeje publike për kontratë dyvjeçare për mirëmbajtjen e sistemit, pasi kontratat njëvjeçare, sipas tij, nuk sigurojnë vazhdimësinë e nevojshme për realizimin e ndryshimeve.
Raporti evidenton edhe mangësi të tjera në digjitalizimin e shëndetësisë. Në Administratën për Shëndetësi Elektronike janë plotësuar vetëm 29 për qind e vendeve të parapara sipas sistematizimit, ndërsa revizorët kanë konstatuar dobësi në sigurinë e teknologjisë informative dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
 
Kontratat për mirëmbajtjen e sistemeve janë lidhur në baza vjetore, ndërsa 48 për qind e investimeve në sisteme të tjera informatike në institucionet publike shëndetësore janë përqendruar në vetëm tri kompani softuerike.
Ministria e Shëndetësisë paralajmëron ndërhyrje më të mëdha në digjitalizimin e shëndetësisë, ndërsa “Termini im” mbetet një nga sistemet qendrore në këtë proces.
 
FARIJE DAUTI BAKIU