Formula 1

F1 Austri: Hamilton sërish me pol position

20.06.2015 19:04

Britaniku i Mercedesit, Lewis Hamilton, ka arritur të shënojë kohën më të shpejtë në provat zyrtare të kësaj të shtune...

Britaniku i Mercedesit, Lewis Hamilton, ka arritur të shënojë kohën më të shpejtë në provat zyrtare të kësaj të shtune, të vlefshme për Çmimin e Madh të Austrisë, duke koleksionuar kështu “pole position”-in e 45 në karrierën e tij.
 
Edhe pse pati një problem në fund të periudhës së tretë të provave të lira, duke dalë edhe jashtë piste për të mos kompletuar xhiron e fundit deri në vijën e “finish”-it, ai arriti të sigurojë vendin e parë të nisjes për garën e nesërme, i ndjekur nga shoku i tij i skuadrës, gjermani Nico Rosberg, teksa edhe ky i fundit doli jashtë piste në fund.
 
Nga vendi i tretë, nesër do të niset gjermani katër herë kampion bote, Sebastian Vettel, i cili nuk mundi të shfrytëzonte daljen jashtë piste të dy pilotëve të Mercedesit për të rikuperuar disi.
 
Në vendet e tjera janë renditur Massa, Hulkenberg, Bottas, Verstappen, Kvyat, Nasr dhe Grosjean, ndërsa dështim më i madh sot ishte finlandezi i Ferrarit, Kimi Raikonen, që mbeti vetëm i 18-ti.
 
Gara për Çmimin e Madh të Austrisë, në program është nesër, me fillim në orën 14.00.