Maqedoni

Zgjedhjet e parakohshme në Bërvenicë

01.10.2026 16:50

Kandidatët për kryetar të komunës së Bërvenicës kanë vazhduar...

Kandidatët për kryetar të komunës së Bërvenicës kanë vazhduar me shpalosjen e ofertës së tyre programore për kryetar të kësaj komune. Premtimet e tyre kanë të bëjnë me investimet në infrastrukturë, zhvillim ekonomik, mbështetje për të rinjtë dhe biznesin. 
 
“Bërvenica është komunë rurale dhe në shekullin 21 po përballet me probleme të mëdha. Disa fshatra, sikurse Vollkovija, ende nuk ka rrjet të kanalizimit. Në programin tim kam paraparë projekte të mjaftueshme për Komunën e Bërvenicës dhe për çdo fshat në veçanti. Këtu është ndërtimi i shtëpisë së kulturës në Bërvenicë, stacion filtrimi për Vardar më të pastër, shtëpi për pleqtë në fshatin Çellopek, hapësira të gjelbra për pushim dhe rekreacion, rikonstruim të plotë të shkollave në komunë, pastrimin dhe zgjidhjen përfundimtare të problemeve me deponitë e egra, rregullimin e rrugëve në fshatra.”, - deklaroi kandidati i LSDM-së, Jovica Radeski.
    
“Do të filloj për një nismë për formimin e ndërmarrjeve sipas meje të pastra komunale. Nëse analiza e asaj që unë e parashikoj që të bëj dhe tregon arsyeshmëri ekonomike, këshilli hap pas hapi do të sjellë vendime për formimin e këtyre ndërmarrjeve me kritere të qarta të llogaridhënies. Do të identifikojmë tokën e disponueshme shtetërore në territorin e komunës. Si çdo komunë, e cila ka territorin e vet, ku planifikohet zona e ndërtimit, zona e banimit, zona e zhvillimit, zona për thithjen e investimeve dhe me këtë interes të menaxhojë komuna.”, - theksoi kandidati i pavarur, Dushan Bogdanovski.
         
“Gjithçka bëhet për fitore. Fitorja është e jona, pa diskutim. Raundin e dytë dorë për dore edhe me ata të tjerët te kutitë e votimit. Krejt rrethanat janë në favorin tonë, krejt kushtet janë në favorin tonë. Nuk duhet ta diskutojmë. Vetëm t’ia japim njëri tjetrit dorën, dorë për dore, të gjithë bashkë edhe e kthejmë aty ku e kemi vendin. Pa diskutim edhe njëherë e them, Komuna e Bërvenicës është e jona, është komuna e 11-të, pas Muhametit, Fetisë, Dautit, edhe Komuna e Bërvenicës do t’i takojë VLEN-it.”, - u shpreh kandidati i VLEN-it, Jakup Huseini.
            
“Komunës i nevojitet një menaxhim i ri, i nevojitet një komunë funksionale, i nevojitet një komunë për të gjithë, i nevojitet një komunë transparente, i nevojitet një komunë, e cila do të jetë e barabartë për çdo fshat, për çdo vendbanim dhe për çdo lagje. Ne çdo herë jemi rreshtuar në anën e duhur. Ata të cilët rreshtohen në anën e duhur mund të kenë vështirësi, mund të kenë probleme, por në fund gjithmonë ngadhënjejnë dhe dalin fitimtarë. Prandaj, edhe ne më 18 tetor, besoj se do të dalim fitimtarë.”, - deklaroi kandidati i AKI-së, Arkin Jahiji. 
 
“Programi im përbëhet nga projekte të mjaftueshme. Do t’i them disa prej tyre, sikurse projekti për ndërtimin dhe rikonstruimin e ndërtesës komunale, formimin e fondit inovativ për të rinjtë, qendër për projekte, dije dhe shkathtësi, projekte biznesi, si dhe projekte për ndërtim, rikonstruim të rrugëve dhe rrugicave në Bërvenicë, ndërtimin e tregut të vogël të mbyllur. Gjithashtu parashikoj projekt për rikonstruimin dhe ndërtimin e rrjetit të kanalizimit, si dhe rehabilitimin e rrugicave.”, - theksoi kandidati i Koalicionit “Maqedonia Jote”, Stojanço Radiçevski.