Botë
Ursula von der Leyen: Asgjë nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës, Kurti: Kosova i plotëson kriteret e vendit kandidat në BE
01.10.2026 17:20
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen...

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar në Prishtinë se asgjë nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës, ndërsa ka theksuar se aktgjykimi i Dhomave të Specializuara në Hagë ka të bëjë me përgjegjësinë individuale të të akuzuarve.
Ajo ka vlerësuar reagimin e matur të institucioneve dhe liderëve politikë të Kosovës, duke bërë thirrje për respektimin e mandatit të institucioneve gjyqësore. Von der Leyen ka rikujtuar represionin dhe krizën humanitare të vitit 1999, ndërsa ka theksuar mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për Kosovën.
“Bashkimi Evropian ka qëndruar pranë jush që nga ajo kohë. Ne kemi qenë partneri juaj më i fuqishëm dhe ofruesi më i madh i ndihmës financiare. Kemi mbështetur rindërtimin, zhvillimin ekonomik, reformat dhe ndërtimin e një Kosove moderne e demokratike, një Kosovë, e ardhmja e së cilës është në Bashkimin tonë Evropian. Aktgjykimi i Dhomave të Specializuara ka shkaktuar emocione të forta. E vlerësoj reagimin tuaj të matur, si dhe atë të liderëve të tjerë politikë, të cilët kanë bërë thirrje për qetësi. Ky aktgjykim është nxjerrë nga institucione të pavarura gjyqësore dhe mandati i tyre duhet të respektohet plotësisht. Të akuzuarit tani kanë të drejtë të ushtrojnë ankesë.”, - deklaroi presidente e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Presidentja e Komisionit Evropian ka theksuar edhe rëndësinë e stabilitetit institucional dhe zgjedhjes së presidentit, duke vlerësuar se dialogu ndërmjet partive politike është i mundur.
Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar anëtarësimin e Kosovës në Konventën për Transitin e Përbashkët, si dhe integrimin në organizatat evropiane të standardizimit dhe në kornizën evropiane të akreditimit.
Sipas Kurtit, këto hapa do të mundësonin lëvizjen më të shpejtë të mallrave dhe uljen e kostove ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Sipas raporteve vjetore të Komisionit Evropian, Kosova nuk ka shënuar kthim prapa në asnjërën nga 33 fushat e politikave, ndërsa përparimi është vlerësuar nga i kufizuar deri në të mirë, ka thënë Kurti.
Ai ka rikujtuar se në dhjetor bëhen katër vjet nga aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa bazuar në meritë, Kosova i plotëson kriteret për statusin e vendit kandidat dhe për hapjen e negociatave të anëtarësimit.
“Hapja e këtyre dyerve do të na shndërronte harmonizimin tonë me rregullat e BE-së në qasje reale në tregun unik. Kosova ka treguar se çfarë mund të bëjë. Me më shumë dyer të hapura mund të arrijë edhe më shumë. Në raportet vjetore të Komisionit, Kosova nuk ka shënuar kthim mbrapa në asnjërën nga 33 fushat e politikave, me përparim që varion nga i kufizuar deri në të mirë. Në dhjetor mbushen katër vjet që kur Kosova aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Bazuar në meritë, Kosova i plotëson kriteret për statusin e vendit kandidat dhe për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Natyrisht, sfida ka gjithmonë dhe në këtë botë të re nuk mungojnë sfidat e reja. Por, përparimi ynë është i qartë. Zonja presidente, llogarisim në mbështetjen tuaj që të flisni hapur për nevojën e Kosovës që t’i jepet statusi i vendit kandidat dhe që t’i bëni thirrje Këshillit të kërkojë opinionin e Komisionit për aplikimin tonë.”, - theksoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Prishtinë arriti nga Tirana, ndërsa të premten do të qëndrojë për vizitë në Shkup, ku janë paraparë takime me krerët më të lartë shtetërorë të Maqedonisë së Veriut.
GYLTENE SINANI
