Maqedoni
Nikolloski nga Brukseli: Të përkushtuar i zbatojmë proceset reformuese dhe Planin e Rritjes të BE-së
02.10.2026 10:01
Mbështetja për zgjerimin e BE-së është e madhe, ndërsa edhe opinioni publik ka mbështetje të lartë për anëtarësimin në BE...

Mbështetja për zgjerimin e BE-së është e madhe, ndërsa edhe opinioni publik ka mbështetje të lartë për anëtarësimin në BE. Maqedonia po i zbaton me sukses proceset reformuese, shënon rritjen e tretë më të lartë ekonomike në Evropë, me rritje të PBB-së prej 4,3 për qind në tremujorin e dytë, ndërsa është plotësisht e përkushtuar dhe e harmonizuar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, theksoi zëvendëskryeministri Aleksandar Nikolloski në panel-diskutimin kushtuar zgjerimit të BE-së, të organizuar nga organizata “Miqtë e Evropës”, që po mbahet sot në Bruksel.
“Sa u përket reformave, në përgjithësi po përballemi mirë. U përmend Plani i Rritjes, gjithçka që është kërkuar nga ne, e kemi bërë. Ekonomia po shënon rritje të shpejtë. Në tremujorin e dytë të këtij viti kemi rritje të PBB-së prej 4,3 për qind, që është e treta më e lartë në Evropë. Ajo që është shumë e rëndësishme për vendin tim është se kemi stabilitet dhe kohezion politik, ekonomik, por edhe ndëretnik, diçka për të cilën kemi synuar në të kaluarën. Kur e shikoni të gjithë pamjen, vendi po lëviz në drejtimin e duhur. Jemi plotësisht të përkushtuar dhe të harmonizuar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian – jo 80 për qind, jo 90 për qind, por 100 për qind. Arsyeja e vetme pse nuk po përparojmë, për fat të keq, është kjo veto nga Bullgaria”, deklaroi Nikolloski.
Ai theksoi se mbështetja nga BE-ja për Maqedoninë është e madhe dhe se ardhja e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Shkup është një sinjal i rëndësishëm.
“Tani gjërat definitivisht po ndryshojnë. Sigurisht, situata me Ukrainën dhe Moldavinë po e ndihmon të gjithë procesin e zgjerimit dhe kjo duhet të shfrytëzohet. Ekziston interes për rajonin. Presidentja Von der Leyen po vjen në Shkup – ishte në Shqipëri, Mal të Zi, Kosovë dhe po vjen në Maqedoni, që është një sinjal i shkëlqyer. Shpresoj se do të gjendet një mekanizëm që Komisioni Evropian do të mund ta shfrytëzojë dhe t’i hapim negociatat e anëtarësimit. Çështjet e hapura me fqinjët duhet të zgjidhen në një mënyrë ose tjetër, por konsideroj se atmosfera do të jetë shumë më e relaksuar dhe pozitive nëse i fillojmë negociatat”, tha Nikolloski.
Në panel, ai theksoi se suksesi i rajonit qëndron në paraqitjen e përbashkët dhe se kjo tashmë po vërehet përmes rritjes ekonomike të rajonit, zhvillimit të turizmit dhe zhvillimit të transportit ajror.
