Rajon
Kurti: Javën e ardhshme duhet ta kemi presidentin
02.10.2026 11:24
Kurti ka nisur komunikimet me liderët e partive politike për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit....

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur komunikimet me liderët e partive politike për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit. Kurti ka thënë se synon që javën e ardhshme Kosova ta ketë presidentin e ri të shtetit.
“Kemi filluar komunikimet dhe natyrisht që kjo fundjavë është vendimtare për të pasur marrëveshje, që javën e ardhshme të kemi president.”, - u shpreh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Haxhiu: Ta zgjedhim presidentin, t’i shmangim zgjedhjet
Edhe ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, u ka bërë thirrje partive politike ta zgjedhin presidentin e ri të shtetit, që Kosova të mos shkojë përsëri në zgjedhje.
“Edhe si kryetare e Kuvendit edhe si ushtruese e detyrës së presidentes pres që takimet, siç e ka përmendur edhe kryeministri Kurti sot, të vazhdojnë. Është shumë e rëndësishme që Kuvendi i Kosovës, gjatë këtyre pak ditëve që i kemi në dispozicion deri me 6 tetor, që ta ketë një emër për president. Tash më ka një emër, megjithatë duhen votat në Kuvendin e Republikës së Kosovës, prandaj unë pres që partitë politike të vazhdojnë diskutimet, në mënyrë që ta zgjedhim presidentin.”, - ka deklaruar ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu.
Nëse deri më 6 tetor nuk zgjidhet presidenti i ri, Kosova me automatizëm shkon në zgjedhje të parakohshme.
