Botë

Francë, përshkallëzohet protesta e nxënësve

02.10.2026 12:02

Protestat e nxënësve të shkollave të mesme në Francë janë përshkallëzuar...

Protestat e nxënësve të shkollave të mesme në Francë janë përshkallëzuar, duke kaluar në përplasje të dhunshme me policinë dhe incidente të shumta në disa qytete.

Demonstratat, që nisën javën e kaluar në rajonin e Parisit për shkak të orareve të ngarkuara mësimore, mungesës së mësuesve dhe kushteve të amortizuara në shkolla, tashmë janë shtrirë në mbarë Francën. Qeveria franceze ka paralajmëruar për një situatë të “dhunës urbane”, ndërsa kryeministri Sebastien Lecornu ka thirrur një mbledhje të kabinetit për menaxhimin e krizës dhe u ka kërkuar ministrave të anulojnë udhëtimet e planifikuara. Sipas policisë, rreth 900 protesta, bllokime dhe incidente të tjera janë regjistruar pranë shkollave të mesme në të gjithë Francën, ndërsa më shumë se 400 shkolla janë mbyllur për shkak të situatës. Bllokime janë raportuar edhe në rreth 30 kampuse universitare, përfshirë në Paris dhe Marsejë. 
 
Ministria e Brendshme bëri të ditur se që prej nisjes së protestave janë ndaluar rreth 3 mijë nxënës të moshës 15 deri në 18 vjeç, ndërsa vetëm gjatë së enjtes u ndaluan 1.949 persona. Përplasjet kanë shkaktuar dëmtime dhe plagosje të më shumë se 300 efektivëve të policisë, si dhe dhjetëra zjarrfikësve, mësuesve dhe nxënësve. Protestuesit kanë hedhur sende ndaj forcave të rendit, ndërsa në disa raste janë përdorur edhe mjete të kontrollit të turmave nga policia.