Botë

Makina elektrike ‘fluturon’ brenda tempullit dhe merr përpara besimtarët, 3 të plagosur

02.10.2026 13:18

Një incident i rëndë është regjistruar në një tempull budist në Bangkok...

Një incident i rëndë është regjistruar në një tempull budist në Bangkok, ku një makinë elektrike ka dalë nga kontrolli dhe është përplasur me një grup besimtarësh.
 
Pamjet e rënda tregojnë momentin kur automjeti përplaset me shpejtësi me njerëzit që ndodheshin pranë një faltoreje në Guanyin Shrine, pjesë e kompleksit të Thian Fah Foundation.
 
Ngjarja ndodhi rreth orës 13:00 të së enjtes, kur automjeti hyri papritur përmes portës kryesore dhe përfundoi brenda hapësirës ku ndodheshin dhjetëra persona, shkruan “The Sun”.
 
Tre njerëz u përplasën drejtpërdrejt nga automjeti, ndërsa të tjerët u përpoqën të largoheshin me nxitim nga rruga e tij.
 
Pas aksidentit, persona të pranishëm u mblodhën rreth makinës për të ndihmuar të plagosurit. Ekipet e shpëtimit përdorën pajisje hidraulike për të nxjerrë tre personat që kishin mbetur të bllokuar poshtë automjetit.
 
Të tre u transportuan në spital. Një grua 60-vjeçare pësoi dëmtime të rënda, ndërsa dy të plagosurit e tjerë morën lëndime më të lehta.
 
Një roje sigurie deklaroi se rreth 30 persona ndodheshin në tempull në momentin e incidentit.
 
Policia ka nisur hetimet për shkaqet e aksidentit. Sipas raportimeve të mediave lokale, drejtuesi 78-vjeçar mund të ketë humbur ndjenjat pasi pësoi një marramendje të papritur. Dyshohet se ai ka shtypur aksidentalisht pedalin e gazit, duke bërë që makina të përplasej me besimtarët.
 
Pavarësisht përplasjes së fuqishme, statuja e Guanyin, simbol i mëshirës dhe dhembshurisë, raportohet se ka mbetur e paprekur.
 
Incidenti ka rikthyer vëmendjen te siguria rrugore në Tajlandë, një vend që përballet prej vitesh me një numër të lartë aksidentesh dhe viktimash në rrugë.