Botë
Francë, përshkallëzohen protestat e nxënësve
02.10.2026 14:26
Protestat e nxënësve të shkollave të mesme në Francë janë përshkallëzuar...

Protestat e nxënësve të shkollave të mesme në Francë janë përshkallëzuar, duke kaluar në përplasje të dhunshme me policinë dhe incidente të shumta në disa qytete. Demonstratat, që nisën javën e kaluar në rajonin e Parisit për shkak të orareve të ngarkuara mësimore, mungesës së mësuesve dhe kushteve të amortizuara në shkolla, tashmë janë shtrirë në mbarë Francën. Sipas policisë, rreth 900 protesta, bllokime dhe incidente të tjera janë regjistruar pranë shkollave të mesme në të gjithë Francën, ndërsa më shumë se 400 shkolla janë mbyllur për shkak të situatës. Bllokime janë raportuar edhe në rreth 30 kampuse universitare, përfshirë në Paris dhe Marsejë.
Ministria e Brendshme bëri të ditur se që prej nisjes së protestave janë ndaluar rreth 3 mijë nxënës të moshës 15 deri në 18 vjeç, ndërsa vetëm gjatë së enjtes u ndaluan 1.949 persona. Përplasjet kanë shkaktuar dëmtime dhe plagosje të më shumë se 300 efektivëve të policisë, si dhe dhjetëra zjarrfikësve, mësuesve dhe nxënësve. Letisia Degez, drejtuese e një qendre rinore në Rennes, e ka cilësuar reagimin ndaj protestuesve si “krejtësisht disproporcional”. Sipas saj, një prani kaq e madhe e forcave kundër të rinjve që kërkojnë kushte më dinjitoze për të jetuar dhe studiuar nuk ndihmon në krijimin e një dialogu të qetë.
“Po, mendoj se të gjithë janë në gjendje t’i kuptojnë ato. Në njëfarë mase, të gjithë i kuptojmë. Edhe nëse nuk kemi fëmijë, jemi të vetëdijshëm për gjendjen aktuale të arsimit në Francë – klasat e mbipopulluara, kushtet e papërshtatshme dhe mungesën e mësuesve. Nuk po i kushtohet vëmendja e duhur të rinjve tanë. Ne duhet të investojmë te të rinjtë tanë. Kjo është thelbësore. Dhe po bëjmë një gabim serioz duke mos e bërë këtë – në fund të fundit, është një çështje respekti për veten.”, - deklaroi drejtuesja e një qendre rinore në Rennes, Letisia Degez.
Deputeti francez i Së Majtës, Antuan Leomë, thotë se me gjithë përshkallëzimin e protestave, ato nuk po dilnin jashtë kontrollit.
“Aspak. Kjo thjesht do të thotë se ka elemente përçarëse që po veprojnë. Do të doja shumë të dija se kush qëndron pas kësaj, sepse nxënësit që kam takuar kanë kërkesa shumë konkrete.”, - theksoi deputeti i LFI-së, Antuan Leomë.
Sipas Ministrisë franceze të Arsimit, që nga e hëna janë plagosur 235 persona gjatë protestave, mes tyre 160 nxënës. Ministri i Arsimit thotë se lëvizja e nxënësve të shkollave të mesme është marrë nën kontroll nga grupe jashtëzakonisht të dhunshme.
“Dhe më lejoni ta theksoj këtë pikë: që nga fillimi i lëvizjes, janë plagosur 65 pjesëtarë të stafit arsimor, diçka që nuk ka ndodhur kurrë më parë. Deri tani, janë plagosur 235 persona në sistemin kombëtar të arsimit: 65 pjesëtarë të stafit dhe 170 nxënës. Në praktikë, ajo që po shohim është një fushatë shumë e qartë për të sulmuar dhe shkatërruar sistemin publik të arsimit.”, - u shpreh ministri i Arsimit – Francë, Eduard Gefre.
Ndryshe, nxënësit kërkojnë më shumë investime në arsim, kushte më të mira në shkolla, klasa më pak të mbipopulluara dhe më shumë mësues. Presidenti Emmanuel Macron pranon se shqetësimet e të rinjve janë legjitime dhe pjesë e jetës demokratike, por thekson se ato nuk mund të justifikojnë dhunën dhe paralajmëron politikanët të mos nxisin më tej tensionet.
SARA KAJOLLI
