Von der Leyen në Shkup me porosi: Një potezë ju ndan nga negociatat, hapëroni!

02.10.2026 17:15

Maqedonia e Veriut ka vetëm një hap para që çon në fillimin zyrtar të bisedimeve...

Maqedonia e Veriut ka vetëm një hap para që çon në fillimin zyrtar të bisedimeve, përcolli në Shkup, kryetarja e KE-së, Ursula von der Leyen. Duke e quajtur këtë hap të ndjeshëm, shefja e ekzekutivit evropian përkujtoi Marrëveshjen e Prespës dhe beneficionet që i sollën RMV-së, respektivisht përfshirjen e saj në NATO. Ajo u ndal edhe tek udhërrëfyesit që do të diskutohen javën e ardhshme në suaza të BE-së.
 
“Tani ka vetëm një hap të rëndësishëm që duhet ta bëni në mënyrë që të lëvizni përpara dhe ta hapni klasterin e parë “Themelet”. E di se sa kjo është e ndjeshme, por dua të jem e qartë rreth asaj që angazhohet Evropa. Ne do t’i dëshirojmë mirëseardhje Maqedonisë së Veriut me identitetin e saj dhe gjuhën  e saj…Jemi pajtuar që të kemi një hap të ri javën e ardhme dhe të mundohemi ta zhbllokojmë procesin. Ajo çfarë do të ndodhë javën e ardhme është revidimi i tërë atij procesi  për aderim. I kemi ato shtete që tashmë kanë hyrë thellë në procesin aderues, hapin dhe mbyllin kapituj dhe këto janë ato udhërrëfyes , dhe në momentin që do ta zhbllokojmë situatën, këtu mendimi im personal është se mund të jemi shumë të shpejtë me RMV-në.”, - deklaroi kryetarja e KE-së, Ursula von der Leyen.
 
Mickoski: Jemi pro BE-së, pa bilateralizim dhe me garanci
 
Ndërkohë kryeministri Mickoski ripërsëriti qëndrimin, se RMV-ja është e përcaktuar për t’iu bashkangjitur familjes evropiane dhe punon në këtë strategji shtetëror. Ai kërkon zgjidhje të mosmarrëveshjes me Bullgarinë përmes dialogut dhe garanci se më tutje s’do të ketë vend për bilateralizim të procesit. Edhe njëherë potencoi  nevojën për lehtësim nga ana e BE-së në dallimet mes Shkupit dhe Sofjes.
 
“Përcaktimi ynë evropian asnjëherë s’ka qenë dhe s’do të jetë kontestues. Atë që sot e kërkojmë është proces që do të jetë lojal dhe i bazuar në rregulla të qarta.  Në i bëjmë obligimet tona, implementojmë reforma që kërkohen nga një vend, si vend që dëshiron të bëhet anëtar i BE-së.  Me kryetaren e KE-së hapur folëm edhe me sfidat që i kemi me fqinjin tonë.  Dëshira jonë është që këto çështje të tejkalohen me dialog, vullnet të mirë dhe me respekt të ndërsjellë.  Njëkohësisht në takimin e sotëm folëm  se presim të përfshihet  edhe BE-ja në këtë proces dhe nuk kërkojmë nga BE-ja të marrë palë, por të ndihmojë në krijimin  e kushteve për vendim të qëndrueshëm evropian ku dakordimi do të jetë i qartë, obligimet do të vlejnë për të  gjithë, ndërkaq procesi aderues nuk do të jetë më i hapur për kushte të reja bilaterale. Çdo vendim duhet të krijojë siguri  me implementimin e saj.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Procesi eurointegrues i vendit dhe sfidat aspiruese, temë e bisedimeve edhe në takimin mes kryetares së KE-së, Von der Leyen dhe shefen e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova. Zytrarja e BE-së ka parë për së afërmi  edhe punimet e korridorit 8. 
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU