LSDM dhe VMRO-DPMNE përplasje rreth anëtarësimit në BE
02.10.2026 17:15
Hapat e rinj që po paralajmërohen nga Brukseli për vendet kandidate...

Hapat e rinj që po paralajmërohen nga Brukseli për vendet kandidate, përfshirë edhe përfshirjen në bashkëpunimin me Prokurorinë Publike Evropiane, për LSDM-në opozitare janë dëshmi se Maqedonia e Veriut po mbetet jashtë këtij procesi. Opozita akuzon Qeverinë për ngecje në integrimin evropian dhe mungesë reformash, duke e lidhur këtë edhe me luftën kundër korrupsionit dhe funksionimin e drejtësisë.
“Von der Leyen e rikthen zgjerimin. Para anëtarësimit, respektivisht së pari anëtarësimi në Zyrën e Prokurorit Publik Evropian. Jo më pas, por para. Vendet kandidate për anëtarësim hyjnë në rrjetin e kryeprokurores Laura Koveshi, ndërkohë që ende nuk janë anëtarë të plotfuqishëm. Përkthimi për Maqedoninë është se nuk ka më prokuror me një telefonatë. Ose thënë ndryshe, hetimi nuk ndalet para mbiemrit, funksionit dhe librezës partiake. Pesë tonë përtej kufirit marrin një emër. Tenderi merr një akt konkret, ndërsa arka merr një pronar. Në Hungari, të nderuar, deri më tani janë arrestuar dy ministra të Qeverisë së Viktor Orbanit. Kështu duket kur je në Union dhe kur pushteti nuk është grup i organizuar kriminal. Prandaj hajduti e mbyll derën. Prandaj udhërrëfyesi u jepet Malit të Zi, Shqipërisë, Moldavisë dhe Ukrainës. Ne bashkë me Kosovën dhe Serbinë jemi anashkaluar.”, - deklaroi zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.
Nuk vonoi as kundërpërgjigjja e VMRO-DPMNE-së. Sipas partisë në pushtet, kreu socialdemokrat, Venko Filipçe, është i shantazhuar dhe i frikësuar dhe se ka marrë përsipër obligime ndaj Zoran Zaevit dhe presidentit të Bullgarisë, Rumen Radevit.
“Ai është një njeri i shantazhuar dhe i frikësuar, i cili i detyrohet edhe Zoran Zaevit, i cili e vendosi dhe e mban në krye të LSDM-së, por edhe Rumen Radevit, para të cilit, siç duket, ka marrë përsipër obligime që nënkuptojnë një tjetër tradhti ndaj interesave kombëtare maqedonase. Nga njëra anë, për shkak të servilizmit ndaj Zoran Zaevit, ai e ka shndërruar LSDM-në në një parti margjinale, me shumë probleme, me bashkëpartiakë të përçarë, akuza të ndërsjella për krime të rënda, fyerje dhe përplasje publike.”, thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.
REXHEP QAMILI
