Botë
U mbajt Forumi i së Ardhmes së Mikpritjes në Tiranë
02.10.2026 15:58
Nga Forumi i së Ardhmes së Mikpritjes i mbajtur në Tiranë...

Nga Forumi i së Ardhmes së Mikpritjes i mbajtur në Tiranë, kryeministri Edi Rama tha se pavarësisht progresit të bërë gjatë 5 viteve të fundit, Shqipëria ka nevoja për më shumë investime serioze.
“Nuk kishte asnjë hotel me pesë yje. Vendi ynë ishte vërtet një vrimë e zezë në hartën e industrisë turistike të Evropës. Por, e di se Shqipëria ka kaluar atë që ishte vija e saj më e vështirë. Tani gjëja më e lehtë është t’u thuash njerëzve: Ejani në Shqipëri. Dikur, “Ejani në Shqipëri” ishte si një ftesë për në ferr.”, - deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Kryeministri ftoi investitorët të shfrytëzojnë potencialin e Shqipërisë për të investuar më shumë.
“Dikur takova një investitor të madh nga Shtetet e Bashkuara dhe i thashë: “Ejani në Shqipëri”. Dhe ai më tha shumë drejtpërdrejt: “Shqipëria nuk është ende gati për mua”. Dhe pak kohë më parë, ai më telefonoi dhe më tha: “Dua të vij në Shqipëri”. Dhe unë i thashë: “Shqipëria nuk ka më kohë për ty”. Kështu që shfrytëzojeni kohën tani.”, - theksoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Sfidë, tha kryeministri, është edhe pranimi i investimeve miliarda euro, duke marrë shkas edhe nga kundërshtimet e shumta për projektin e Zvërnecit.
“Sfida është për të qëndruar pa dyshime dhe pa u dridhur përballë investimeve të mëdha që janë gati të vijnë. Miliarda e miliarda janë gati të investohen në Shqipëri për ta transformuar këtë vend në diçka edhe më ndryshe nga ajo që është sot.”, - u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Ministri Blendi Gonxhja deklaroi se shumë vëmendje duhet edhe për kapitalin njerëzor.
“Prandaj, një nga sfidat kryesore për vitet e ardhshme është të sigurojmë që investimet në infrastrukturën e mikpritjes të shoqërohen me një investim po aq të rëndësishëm në kapitalin njerëzor.”, - theksoi ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja.
Ky forum është forumi i parë i organizuar nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve dhe mblodhi zhvilluesit shqiptarë, investitorët dhe disa prej brendeve më të njohura e më prestigjioze të hotelerisë botërore.
LULJETA NDOKA
