Maqedoni
Zgjedhjet e parakohshme në Bërvenicë
02.10.2026 16:52
Në Bërvenicë vazhdon fushata zgjedhore me kandidatët dhe partitë...

Në Bërvenicë vazhdon fushata zgjedhore me kandidatët dhe partitë që prezantojnë programet dhe prioritetet e tyre para qytetarëve me fokus në infrastrukturë, zhvillim ekonomik, mbështetjen e të rinjve dhe bizneset lokale.
“Në pikën time të quajtur qëllime afatmesme, do të ngre iniciativë për formimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, pasi që këtë e lejojnë edhe ligjet e një komune. Për ndërmarrjet e vogla në afat të shkurtër mund që të vërtetohet nëse mund të mbeten në treg ose jo pa u bërë shpenzime më të mëdha. Për ndërmarrjet e mesme nevojitet kapital më i madh, por nëse edhe këto realizohen gjatë analizës së tregut, ato japin benefite më të mëdha.”, - deklaroi kandidati i pavarur, Dushan Bogdanovski.
“Projektin e parë që e kam bërë në Komunën e Bërvenicës kur jam punësuar, e kam bërë për Gurgurnicën. Edhe atë kamionetën që nuk e përdor asnjëherë në Komunën e Bërvenicës për mbledhjen e mbeturinave është fituar falë Gurgurnicës, se Gurgurnica ka qenë prioritet për të mbledh mbeturinat me atë kamionetë. Unë nuk e di pse nuk e ka vënë në funksion. Dhe jo vetëm për Gurgurnicën, unë e kam pa se stadiumit të Çellopekut i mungon një terren sporti, i kam kontaktuar ato të USAID – it, vetë personalisht me njohësit e mi, me aftësitë e mia dyzet mijë dollarë ia dërgova Çellopekut.”, - theksoi kandidati i VLEN-it, Jakup Huseini.
“Dua të premtoj punë, përkushtim dhe përgjegjësi, sepse Bërvenica nuk ka nevojë vetëm për fjalë, ka nevojë për plan, ka nevojë për punë, ka nevojë për përgjegjësi dhe mbi të gjitha ka nevojë për bashkëpunim. Kjo nuk është vetëm një kandidaturë personale, është një vizion për Bërvenicën më funksionale, më të zhvilluar, më të organizuar dhe me më shumë mundësi për të gjithë.”, - u shpreh kandidati i AKI-së, Arkin Jahiji.
“Në fazë realizimi është ndërtimi i sallës sportive në vendbanimin Çellopek. Në fazë planifikimi, për disa muaj do të nisë ndërtimi i kopshtit për fëmijë në Çellopek. Gjithashtu edhe ky është një projekt që e kishte ish-kryetari Jovica Ilievski dhe kishte nënshkruar marrëveshje për ndërtim. Më tej një nga projektet në bashkëpunim me pushtetin qendror është nyja rrugore në autostradën Tetovë – Gostivar dhe Shkup.”, - deklaroi kandidati i Koalicionit “Maqedonia Jote”, Stojanço Radiçevski.
“Do të angazhohem për rikonstruim të plotë të shkollave, pastrim dhe zgjidhje përfundimtare me problemet me deponitë e egra, ndriçimin e rrugëve në të gjitha fshatrat, krijimin e një zone agrokulture dhe vende të reja pune për përpunimin e produkteve bujqësore me mbështetje të prodhuesve lokal dhe një plasman më stabil. Do të bëj rikonstruim dhe zgjerim të rrjetit të ujësjellësit dhe zgjidhjen e problemit me ujin në fshatin Gurgurnicë. Edhe pse nuk e kam vënë në letër, mund t’u premtoj qytetarëve se nga viti i parë i mandatit do të nisë ndërtimi i morgut në Bërvenicë.”, - theksoi kandidati i LSDM-së, Jovica Radeski.
