Botë
Tragjedi në minierën e Somës, 5 punëtorë humbin jetën pas shembjes
02.10.2026 18:10
Pesë punëtorë kanë humbur jetën pas shembjes së një pjese të galerisë...

Pesë punëtorë kanë humbur jetën pas shembjes së një pjese të galerisë në një minierë në Soma, në provincën e Manisës, në perëndim të Turqisë.
Bilanci është konfirmuar nga Agjencia Turke e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), pas përfundimit të operacioneve të kërkim-shpëtimit.
Në total, shtatë minatorë u nxorën nga miniera. Pesë prej tyre humbën jetën, ndërsa dy të tjerë u gjetën të gjallë. Njëri prej të mbijetuarve vijon të marrë trajtim në spital, ndërsa tjetri është liruar.
Fillimisht, autoritetet e Manisës raportuan për tre viktima, por bilanci u rrit më vonë në pesë pas përfundimit të operacioneve të shpëtimit.
Pas shembjes, autoritetet ngritën një qendër për menaxhimin e krizës, ndërsa ekipet e emergjencës u angazhuan për nxjerrjen e punëtorëve dhe menaxhimin e situatës.
Pas tragjedisë, zyrtarë të lartë turq, mes tyre kryetari i Parlamentit, Numan Kurtulmuş, ministra dhe përfaqësues të presidencës, shprehën ngushëllimet për familjet e viktimave.
