Sakrificat për arsim, Ladorishti kujton gjimnazin “Hajdar Dushi”

03.10.2026 16:10

Kanë kaluar 35 vite nga koha kur Gjimnazi “Hajdar Dushi”...

Kanë kaluar 35 vite nga koha kur Gjimnazi “Hajdar Dushi”, në fshatin Ladorisht, ishte pjesë e rëndësishme e jetës arsimore të të rinjve të kësaj ane.

“Pas ndryshimeve kushtetuese të viteve ’80 dhe forcimit të politikave diskriminuese të pushtetit jugosllav dhe atij maqedonas, arsimi i mesëm në gjuhën shqipe u përball me masa të rënda administrative dhe politike. Në trevën e Strugës, mbyllja e paraleleve shqipe dhe pengesat sistematike synonin ndërprerjen e shkollimit të të rinjve shqiptarë. Dyert e shkollave publike po mbylleshin për rininë tonë, ndërsa synimi i pushtetit të atëhershëm ishte i qartë: ndërprerja e arsimit në gjuhën shqipe dhe zbehja e identitetit kombëtar. Në këtë klimë të rëndë shoqërore dhe politike, nevoja për vazhdimësinë e shkollimit të brezave të rinj nuk ishte thjesht një dëshirë, por një kërkesë kombëtare.” – tha historiani, Neki Lumani.

Për shumë breza, “Hajdar Dushi” nuk ishte vetëm një institucion arsimor, por një vend ku u krijuan miqësi, ëndrra dhe rrugët e para drejt së ardhmes.

“Ajo sakrificë mbeti në themelin e çdo diplome, të çdo suksesi dhe të çdo intelektuali që nxori qyteti ynë. Sot, pas 35 vitesh, ne nuk kujtojmë vetëm një shkollë. Kujtojmë guximin e një brezi, sakrificën e prindërve, përkushtimin e profesorëve dhe vendosmërinë e një populli për të mbrojtur arsimin, gjuhën dhe identitetin e tij kombëtar” – u shpreh Martanesh Dauti.

35 vite më pas, kujtimet nga Gjimnazi “Hajdar Dushi” në Ladorisht vazhdojnë të mbeten të gjalla në zemrat e ish-nxënësve dhe qytetarëve të Strugës. (Fitore Istrefi, TVM2)