Raporti i Standard & Poor's, pritet rritje ekonomike rreth 3.6%

03.10.2026 17:06

Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kreditit Standard & Poor's...

Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kreditit Standard & Poor's, ka vlerësuar pozitivisht lëvizjen në ekonominë e vendit. Në raportin e saj të fundit, agjencia vlerësoi se perspektiva e rritjes ekonomike, nivelet e moderuara të borxhit publik dhe kostot e qëndrueshme të shërbimit të borxhit zbusin rreziqet që lidhen me deficitet e larta fiskale.

Ndërtimi i korridorve rriti investimet me mbi 9%

Nga kjo agjenci theksojnë se Korridoret VIII dhe Xd, kanë kontribuar në rritjen e investimeve prej mbi 9% në gjysmën e parë të vitit 2026

“Agjencia pret që rritja ekonomike e RMV të arrijë rreth 3.6% në vitin 2026 dhe 2027, e nxitur nga nivelet e larta të investimeve publike dhe konsumi i brendshëm elastik pavarësisht pasojave negative ekonomike nga lufta në Lindjen e Mesme, kryesisht përmes çmimeve më të larta të energjisë. Si nxitës kryesorë të rritjes, theksojmë zbatimin e përshpejtuar të projekteve të mëdha të infrastrukturës, veçanërisht Korridoret VIII dhe Xd, të cilat kontribuan në rritjen e investimeve prej mbi 9% në gjysmën e parë të vitit 2026. Një nivel po aq i lartë i aktivitetit të investimeve pritet në gjysmën e dytë të vitit 2026”. – thonë nga Agjencia Ndërkombëtare e Vlerësimit të Kreditit, Standard & Poor's.

Sipas Agjencisë, rritja do të mbështetet më tej nga konsumi privat elastik, i nxitur nga përmirësimet në tregun e punës, rritja e pagave dhe pensioneve, si dhe rritja e të ardhurave të disponueshme të familjeve.

“Standard & Poor's pret që cikli i investimeve të vazhdojë në vitet e ardhshme, me një rritje mesatare ekonomike në periudhën 2027–2029 të parashikuar në rreth 3.3%. Sa i përket financave publike, presim një konsolidim gradual fiskal në periudhën 2027–2029, me një deficit buxhetor mesatarisht rreth 3.4% të PBB-së. Niveli i lartë i investimeve publike, financimi i projekteve të infrastrukturës dhe detyrimet që lidhen me ndërmarrjet shtetërore, sipas Agjencisë, do të ndikojnë në nivelin e borxhit, i cili do të jetë në një nivel prej 57% deri në vitin 2029”. – shprehen nga Agjencia Ndërkombëtare e Vlerësimit të Kreditit, Standard & Poor's.

Në të njëjtën kohë, kostot e shërbimit të borxhit vlerësohen si të qëndrueshme. Raporti vëren gjithashtu aksesin e pakufizuar të Qeverisë në tregjet ndërkombëtare të kapitalit, duke vënë në dukje emetimin e dy euro-obligacioneve prej 500 milionë eurosh secila në janar 2026.

Sipas tyre përmirësimi i qëndrueshëm i performancës fiskale, ulja e qëndrueshme e borxhit publik neto dhe rritja më e fortë ekonomike, do të kenë një ndikim pozitiv në vlerësimin e kreditit të vendit. (Fitim Kryeziu, TVM2)