Lufta SHBA-Iran dhe kriza me naftën, Tramp: Çmimi i naftës do të bjerë ndjeshëm

03.10.2026 19:47

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump...

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se lufta me Iranin do të mbarojë së shpejti, duke parashikuar se çmimet e naftës do të bien ndjeshëm sapo të përfundojë konflikti.

Duke e quajtur Iranin "ngacmuesin në Lindjen e Mesme", Trump tha se Teherani "nuk do të ketë kurrë një armë bërthamore".

“Kjo luftë do të mbarojë së shpejti, në një mënyrë ose në një tjetër, ndoshta menjëherë pas zgjedhjeve të mesit të mandatit. Çmimi i naftës do të bjerë ndjeshëm, mendoj se ndoshta edhe më i ulët se më parë". – deklaroi Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.

Sipas Trump, dikush duhej ta bënte punën e ndyrë me Iranin, por kjo duhej të ishte bërë shumë vite më parë, sepse Irani, siç tha Trump, ka qenë një ngacmues në Lindjen e Mesme për 51 vjet.

G7 liron 100 mln fuçi nga rezervat

Trump poashtu ka theksuar se SHBA nuk do të vendosin një ndalim për eksportin e naftës, ndërsa mirëpriti një vendim të vendeve evropiane për të liruar karburantin nga rezervat e tyre.

“Unë e kërkova. Evropa ka shumë naftë dhe ata do të japin një kontribut të madh botëror, dhe kështu jemi edhe ne. Dhe ne nuk do të bëjmë ndalimin e eksportit, do të bëjmë atë që duhet të bëjmë” – u shpreh Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.

Trump kishte thënë për herë të parë se mbështeste një ndalim të eksportit të naftës, i cili do të kishte ulur çmimet për konsumatorët amerikanë, por do të ushtronte presion mbi furnizimet në vende të tjera të botës, më 22 shtator.

Ai tha vetëm të enjten se Shtetet e Bashkuara po e shqyrtonin ende idenë, ndërsa administrata e tij ushtron presion mbi Evropën që të shfrytëzojë furnizimet e saj. Vendet e G7 ranë dakord të premten të lirojnë 100 milionë fuçi naftë dhe naftë bruto nga rezervat e tyre gjatë katër muajve për të lehtësuar shqetësimet globale për furnizimin me energji të nxitura nga lufta e Iranit. (Fitim Kryeziu, TVM2)