Kriza politike në Kosovë, Kurti takon Hamzën dhe Abdixhikun
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar në takime të ndara liderët e dy partive më të mëdha opozitare, Bedri Hamzën e PDK-së dhe Lumir Abdixhikun e LDK-së për të tejkaluar krizën politike dhe mungesën e stabilitetit institucional në prag të skadimit afatit për zgjedhjen e presidentit.
Para takimit, Hamza ka thënë se qëndrimi i PDK-së për këtë çështje mbetet i pandryshuar. Sipas tij, fillimisht duhet të përfundojë procesi i miratimit të ligjit në Kuvend, në të gjitha fazat dhe komisionet përkatëse.
“Fillimisht duhet të aprovohet ligji dhe po e ritheksoj, të aprovohet në të gjitha nivelet, në dy leximet dhe në të gjitha komisionet”, tha Hamza.
Ai ka deklaruar se pas përfundimit të këtij procesi, PDK-ja është e gatshme të diskutojë për çështjen e zgjedhjes së presidentit.
“Ne jemi të hapur që të bisedojmë për çështjen e presidentit. Ne besojmë që ligji duhet të aprovohet, vendi duhet të ketë president, e më pas të kthehemi në obligimet tona si deputetë”, u shpreh kreu i PDK-së.
