Kosovë, partitë ende pa marrëveshje për Presidentin

04.10.2026 13:17

Kanë mbetur vetëm dy ditë deri në përfundimin...

Kanë mbetur vetëm dy ditë deri në përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, ndërsa partitë politike po vazhdojnë përpjekjet për të gjetur një marrëveshje.

Zhvillimet politike të së shtunës u përqendruan në takimet ndërmjet liderëve të partive, por përpjekjet nuk sollën një marrëveshje konkrete.

Kryeministri Albin Kurti zhvilloi takime të ndara me liderët e dy partive më të mëdha opozitare, Lumir Abdixhikun e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Bedri Hamzën e Partisë Demokratike të Kosovës. Pas takimit me kryeministrin Kurti, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se qëndrimi i partisë së tij mbetet i pandryshuar.

Hamza bëri të ditur se PDK kërkon që Kuvendi të miratojë ndryshimet e propozuara nga kjo parti në Ligjin për Dhomat e Specializuara në të gjitha fazat dhe komisionet përkatëse.

Sipas tij, pas përfundimit të këtij procesi, PDK është e gatshme që të diskutojë menjëherë për zgjidhjen e Presidentit.

Para takimit me Hamzën, kryeministri Albin Kurti u takua në Kuvendin e Kosovës me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Sipas afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, procesi për zgjedhjen e Presidentit duhet të përfundojë deri më 6 tetor.