Kumanovë, me projekte bamirësie, rinovohen dy shkolla
Në dy shkolla fillore të qytetit të Kumanovës, “Bajram Shabani” dhe “Naim Frashëri”...

Në dy shkolla fillore të qytetit të Kumanovës, “Bajram Shabani” dhe “Naim Frashëri”, janë përuruar investimet e realizuara gjatë muajve të fundit, të cilat kanë për qëllim përmirësimin e kushteve për nxënësit dhe mësimdhënësit.
Punimet kanë përfshirë lyerjen e klasave dhe korridoreve, ndërrimin e dyerve dhe dyshemeve, përmirësimin e ndriçimit, instalimin e kondicionerëve, si dhe pajisjen e klasave me tabela smart, duke kontribuar në modernizimin dhe digjitalizimin e procesit mësimor.
Investim i veçantë po realizohet në shkollën fillore “Bajram Shabani”, ku po bëhet rikonstruksioni i tërësishëm i sallës së sportit. Me këto ndërhyrje, nxënësve do t’u krijohen kushte më të mira për zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe edukative.
“Pra, ne jemi nga ‘Sëiss Barakah’, dhe një nga sektorët tanë kryesorë është arsimi. Ne ndërtojmë shkolla, rinovojmë shkolla, rregullojmë kabinete të IT-së, në të gjithë botën dhe gjithashtu veprojmë në Kumanovë, ku kemi disa nga miqtë tanë, si z. Arbeni Ademi. Ai është nga ky qytet dhe fokusohet në këtë vend, na foli për këtë dhe më pas dha edhe fonde, prandaj jemi këtu dhe do të mbështesim edhe më shumë. Jo, ne kemi bërë tashmë shumë gjëra në shkolla të tjera, ndërsa në "Bajram Shabani" këtë e bëmë vetëm sepse tani jemi në Kumanovë dhe dëgjuam për "Bajram Shabani" që është një shkollë shumë e njohur dhe e mirë, dhe i duhej kjo, kështu që filluam këtu”, - tha Muhamed Ajami, nga Shoqata “Sëiss Barakah”.
“Bëhet fjalë për disa investime të cilat i kanë përmirsuar kushtet në shkollë, mbi të gjitha bëhet fjalë për digjitalizim të plotë të shkollës me Smart Tabela në çdo klasë, ndricimi i shkollës është ndërruar i tëri, lyerja dhe fasadimi i klasave dhe ndryshimi i e rinovimi i hapsirave brenda objektit, dyer të reja të vendosura, banga e karrige të reja, dhe rishtazi po punohet për rinovimin e sallës së sportit, e cila ka qenë në kushte jo të mira. Të gjitha këto investime që i përmenda janë kryer pothuaj se edhe në shkollën fillore komunale “Naim Frashëri”, atje gjithashtu kemi vendosur edhe kondicionere në klasa si dhe laminat pasiqë dyshemetë ishin të dëmtuara.”, tha mes tjerash, Zenun Ismaili, koordinator i projektit.
Këto investime janë vlerësuar si një kontribut i rëndësishëm për përmirësimin e infrastrukturës shkollore dhe krijimin e kushteve më moderne për gjeneratat e reja. (Fatlum Aqifi, TVM2)
