Tetova rrit disiplinën fiskale, nis inkasimi i borxhit prej 6 mln euro!

04.10.2026 15:58

Mbi 6 milionë euro janë detyrimet e qytetarëve dhe kompanive...

Mbi 6 milionë euro janë detyrimet e qytetarëve dhe kompanive që, brenda dy viteve, nuk i kanë paguar Komunës së Tetovës. Komuna ka nisur një aksion për inkasimin e detyrimeve të prapambetura, ndërsa ata që nuk i shlyejnë në kohë obligimet do të përballen me procedura përmbarimore.

Këtë e bëri të ditur udhëheqësi i Financave në Komunën e Tetovës, Nuredin Dehari, i cili theksoi se qytetarët dhe kompanitë duhet t’i shlyejnë obligimet që kanë ndaj komunës.

“Borxhi total i kompanive dhe qytetarëve në Komunën e Tetovës është 340 milionë denarë dhe pjesa më e madhe është nga qytetarët që i detyrohen komunës për tatimin në pronë. Pjesa tjetër i takon kompanive, ku pjesa më e madhe janë taksat e firmës dhe tatimi në pronë që kompanitë nuk i kanë paguar ndaj komunës. Si komunë, i kemi njoftuar qytetarët dhe kemi lëshuar vendime. Kemi bërë njoftim edhe për ata që nuk kanë arritur t’i marrin vendimet në adresat e tyre, që të paraqiten në komunë, ndërsa nga 1 tetori do të fillojmë me procedurat për ata që nuk i kanë realizuar pagesat për vitet paraprake.” – tha Shefi i Financave në Komunën e Tetovës, Nuredin Dehari.  

Përveç detyrimeve ndaj komunës, banorët e Tetovës i detyrohen mbi një milion euro edhe Ndërmarrjes Publike Komunale “Sharri” për dy vitet e fundit. Ndryshe nga NPK “Tetova”, ndërmarrja “Sharri” nuk ka borxhe aktive ndaj furnitorëve apo kompanive të treta dhe, sipas drejtuesve, po funksionon me stabilitet financiar.

“Ndërmarrja për momentin nuk ka borxhe aktive dhe, siç e dini, ndërmarrja është mbi 6 milionë denarë plus për gjashtëmujorin e parë. Por, me pagesën e borxheve do të investojmë dukshëm në infrastrukturën nëntokësore. Problemet që i patëm me rrogat i kemi tejkaluar dhe ndërmarrja e mban veten me mjetet që mbledh. Por lus qytetarët që kanë borxh ndaj ndërmarrjes të drejtohen në zyrat tona për t’i shlyer borxhet.” – u shpreh Drejtori i NPK “Sharri”, Valon Zeqiri.

Opozita ka akuzuar udhëheqësinë e Komunës së Tetovës për keqmenaxhim, duke kërkuar që komuna të hartojë një plan për t’ua lehtësuar qytetarëve shlyerjen e tatimeve. Përmbaruesit bëhen një tjetër barrë financiare, thonë nga BDI.

“Së pari, qytetarët duhet t’i shlyejnë detyrimet. Por a e pyet Kasami si e mbyll muajin një familje tetovare? Me çmime të rritura dhe paga që nuk mjaftojnë, përmbarimi shton barrën financiare. Që në vitin 2024, qytetarët raportuan fatura tatimore trefish më të larta. Së dyti, kërkojmë këste, afate të arsyeshme dhe lehtësime për familjet në vështirësi, përpara përmbarimit.” – deklaroi Lindita Aliu nga BDI.

Ndërkohë, në situatë të rënduar vazhdon të jetë Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova”, e cila ka përqindje të ulët të inkasimit. Megjithatë, ndërmarrja ka shënuar ulje të dukshme të borxhit publik, nga rreth 10 milionë euro në më pak se 2.6 milionë euro borxh aktiv. (Visar Sadiku, TVM2)