Zgjedhja e presidentit në Kosovë, rriten gjasat për ujdi mes partive

04.10.2026 18:42

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza...

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka përsëritur qëndrimin e partisë së tij se zgjidhja e ngërçit institucional duhet të nisë me miratimin e ligjit për Dhomat e Specializuara në të dy leximet.

Para mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, Hamza tha se pas miratimit të ligjit duhet të propozohet kandidati për president dhe të procedohet zgjedhja e tij, me synimin që vendi të shmangë shkuarjen në zgjedhje të reja.

“Ne po themi të aprovohet ligji në të dy leximet. Pastaj të propozohet emri për president dhe të zgjidhet presidenti, e të shmangen zgjedhjet”, deklaroi Hamza.

Ndërkaq, Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka dorëzuar kërkesë për mbajtjen e një seance të Kuvendit të Kosovës të hënën.

Në rend dite pritet të jetë edhe nisma ligjore për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Para seancës plenare, Komisioni për Legjislacion do të mblidhet në orën 08:00, ku në rend dite do të jetë shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e këtij ligji.