Rajon
Ka nisur me vonesë seanca e Kuvendit të Kosovës, pritet të shqyrtohet projektligji për Specialen
05.10.2026 11:27
Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës, gati me një orë vonesë nga koha e paraparë për fillimin e saj...

Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës, gati me një orë vonesë nga koha e paraparë për fillimin e saj. Në këtë seancë pritet të shqyrtohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Arsyet për vonesën nuk janë bërë të ditura.
Ndërkohë protestuesit kanë rrethuar hapësirat e objektit të Kuvendit të Kosovës me kërkesën për aprovimin e projektligjit për plotësim ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Ata kanë thënë që “asnjë deputet nuk mund të dalë pa aprovuar ligjin”. Protestës tashmë i janë bashkuar edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati, ka thënë që nëse nuk votohet ligji, do të përshkallëzohet protesta.
Nga PDK-ja, e cila e ka iniciuar nismën për ndryshimin e Ligjit, kanë thënë se presin që ai të miratohet sot në të dyja leximet. Ndryshimi i Ligjit për Specialen është miratuar paraprakisht në lexim të parë nga Komisioni për Legjislacion. Për të kanë votuar nëntë deputetë të pranishëm, ndërsa nuk ka pasur asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.
