Botë

Sulm masiv i Rusisë ndaj Ukrainës, raportohen goditje me 205 dronë në 13 zona

05.10.2026 12:12

Rusia ka ndërmarrë një sulm masiv me 205 dronë ndaj Ukrainës...

Rusia ka ndërmarrë një sulm masiv me 205 dronë ndaj Ukrainës, në një ofensivë që nisi mbrëmjen e së dielës dhe vijoi deri në orët e para të së hënës.
 
Sipas Forcave Ajrore ukrainase, mbrojtja kundërajrore ka arritur të neutralizojë 172 dronë, ndërsa goditje janë regjistruar në 13 zona të ndryshme. Në një tjetër zhvillim, gjatë së njëjtës periudhë është raportuar për sulm me raketa në Kharkiv, ku një person ka humbur jetën dhe gjashtë të tjerë janë plagosur.
 
Një dron rus ka goditur gjithashtu një infrastrukturë energjetike në rajonin e Poltavës, duke lënë rreth 22 mijë persona pa energji elektrike. Sulmi vjen në një moment të përshkallëzimit të luftës ajrore. Rusia ka paralajmëruar se do të intensifikojë goditjet ndaj Ukrainës, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Kievi do të shtojë sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës.
 
Ndërkohë kancelari gjerman Friedrich Merz, sot nga Kievi, i bëri një thirrje të drejtpërdrejtë presidentit rus Vladimir Putin që të ndalojë sulmet ndaj Ukrainës dhe të tregojë gatishmëri për negociata. Përveç mesazhit politik, Merz njoftoi edhe për një paketë të re ndihme për Ukrainën, me rreth 1 miliard euro për mbrojtjen dhe 350 milionë euro për riparimin e infrastrukturës energjetike.