Maqedoni
Shtrenjtimi i faturave të energjisë elektrike. Ekspertët: Mund të rriten edhe çmimet e produkteve
21.06.2015 14:06
Rritja eventuale e çmimeve të energjisë elektrike për 10% nga korriku, është ngarkesë financiare për qytetarët por edhe afaristët...

Ekspertët e ekonomisë nuk arsyetojnë një vendim të tillë që do të kishte dalë nga komisioni rregullatorë I energjetikës pas dy javësh.
Sipas Agron Arsllani, drejtor në Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri Perëndimore shtrenjtimi I faturave të energjisë elektrike mund të çojnë në rritjen e çmimeve të produkteve, ndërsa për afaristët deri tek falimentimi I ndërmarjeve të tyre.
“Rroga mesatare është 21 mijë denarë dhe për energji elektrike paguajmë dikund 12% të asaj shume kjo është një ngarkesë shumë e madhe edhe për amvisëritë. Pasiqë kemi vetë harxhime më të mëdhaja normalisht që duhet ose të rriten çmimet ose të falimentojmë. Ne jemi vetë dëshmitarë që kohën e fundit me dhjetëra apo qindra kompani të cilat kanë shkuar në falimentim shkaku i mos mundësisë për mbulimin e harxhimeve dhe shpenzimeve të cilat i kanë pasur”, tha Agron Arsllani, drejtor i OEMVP
Problem serioz në aplikimin e çmimit real të energjisë elektrike është mungesa e burimeve alternative të energjisë shprehet Arsllani.
Sipas tij shteti duhet të bëjë liberalizmin e tregut të energjisë elektrike duke subvencionuar kompanitë dhe personat që janë të gatshëm për shfrytëzimin e energjisë alternative.
“Burimet alternative të energjisë janë mjaft të rëndësishme duke patur parasysh burimet e energjisë që burojnë prej erës, diellit, gazi natyral, të cilat është më se e nevojshme që edhe vetë shteti ti subvencionojë edhe kompanitë por edhe personat në bazë të subvencioneve të ndryshme”, shtoi Arsllani
Nga asociacioni i energjetikës kanë bërë thirje që Komisioni Rregullator i Energjetikës gjatë vendimit përfundimtarë të marrë parasysh shpenzimet reale të kompanive energjetike.
Në opinion flitet se ELEM ka kërkuar që çmimet të rriten për 10%.
Nga MEPSO dhe EVN thonë se akoma nuk kanë dorëzuar kërkesë për rritje.
MERAL ISMAILI
