Botë
Spanjë, shpallen zgjedhje të parakohshme
05.10.2026 14:14
Sançez ka njoftuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 29 nëntor...

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sançez, ka njoftuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 29 nëntor, duke vendosur shpërndarjen e Parlamentit nëntë muaj para përfundimit të mandatit. Sançez pranoi se qeveria e tij kishte bërë gabime dhe nuk kishte arritur të realizonte gjithçka që kishte planifikuar. Megjithatë, ai u bëri thirrje spanjollëve të zgjedhin mes asaj që e cilësoi si “valë të së djathtës ekstreme” dhe një “shumicë progresive më të gjerë”.
“Populli i Spanjës duhet të vendosë se çfarë roli dëshiron të luajë në gjithë këtë. A dëshironi t’i bashkoheni valës së ekstremit të djathtë, e cila çon drejt regresit kudo që sundon, apo dëshironi që Spanja të mbetet një bastion i hapjes, drejtësisë sociale dhe përgjegjësisë mjedisore. A dëshironi që vendi juaj të shkojë prapa apo të vazhdojë të ecë përpara.”, - deklaroi kryeministri i Spanjës, Pedro Sançez.
Zgjedhjet vijnë pas humbjes së Qeverisë në Kongres, ku të premten u rrëzuan dy dekrete të rëndësishme për strehimin. Masat, të mbështetura nga ekzekutivi për të lehtësuar aksesin në banesa dhe për të rritur mbrojtjen e qiramarrësve, u kundërshtuan nga Partia Popullore (PP), Vox dhe Junts. Protestat masive për shkak të qirave të larta dhe kostos së jetesës kanë vazhduar.
“Lufta duhet të vazhdojë, pavarësisht se kush është në pushtet.”, - tha një protestues.
“Duam të shohim përparim, duam që të ndërmerret diçka dhe që dikush të marrë masa për përmirësimin e situatës së strehimit.”, - tha një protestues tjetër.
Në sondazhet para zgjedhjeve, Partia Popullore e Alberto Nunjez Feiho ka qenë përpara Partisë Socialiste të Sançezit, ndërsa Vox ka rritur mbështetjen. Megjithatë, rezultati përfundimtar dhe mundësia për formimin e qeverisë do të vendosen nga vota e 29 nëntorit. Me shpalljen e zgjedhjeve, Spanja hyn në një fazë të re politike, ku qeveria socialiste përballet me sfidën për të mbrojtur bilancin e saj, ndërsa opozita synon të shfrytëzojë avantazhin e sondazheve.
GAZMEND KURTISHI
