Maqedoni

Lija godet tufat e deleve, 10 mijë dele të ngordhura në Maqedoni

05.10.2026 14:53

Sëmundja e lisë ka shkaktuar dëme të mëdha në blegtorinë e deleve në vend....

Sëmundja e lisë ka shkaktuar dëme të mëdha në blegtorinë e deleve në vend. Rreth 10 mijë dele kanë ngordhur ose rreth 20 për qindëshi i numri të përgjithshëm i deleve në vend, ndërsa më të goditura janë tufat në pjesën lindore të vendit. Deri më tani janë konfirmuar 64 vatra, prej të cilave 50 në Rajonin Lindor. Blegtorët thonë se dëmet mund të ishin parandaluar, po të kishin arritur vaksinat në kohë. Në vend kanë arritur 450 mijë vaksina nga BE-ja.
 
“Deri tani janë asgjësuar rreth 10 mijë krerë, për të cilët është përgatitur metodologjia dhe tani do të diskutojmë për modelin e kompensimit të vetë blegtorëve. Sipas rregullave të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, në të njëjtin vend për të paktën gjashtë muaj nuk do të lejohet rritja e përsëritur e bagëtive. Prandaj, do të përpiqemi që të realizojmë kompensimin maksimal të mundshëm për blegtorët, në mënyrë që ata të mund të përgatiten për blerjen e tufave të reja të deleve.”, - deklaroi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Borçe Serafimovski.
 
Vetëm gjatë këtij viti, deri në shtator, Inspektorati Shtetëror i Bujqësisë, pas kontrolleve të kryera për blerjen e produkteve bujqësore në rajonet e Strumicës, Tikveshit dhe Prespës, ka shqiptuar 30 masa për shkelje.
 
“Për parregullsitë e konstatuara gjatë blerjes, inspektorët shtetërorë të bujqësisë kanë lëshuar edhe 17 urdhërpagesa, nga të cilat tri janë paguar. Për pjesën tjetër, të cilat nuk janë paguar, po zhvillohet procedurë kundërvajtëse pranë Komisionit për Kundërvajtje në Ministri.”, - theksoi drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Bujqësisë, Ivica Angelovski.
 
Për tejkalimin e parregullsive gjatë blerjes së produkteve bujqësore, Ministria ka përgatitur një ligj për rregullimin e tregjeve të produkteve bujqësore, me rregulla më të qarta dhe afate të përcaktuara për pagesën e fermerëve. Autoritetet theksojnë se sëmundja nuk paraqet rrezik për shëndetin e njerëzve. Ata gjithashtu njoftojnë se një nga mënyrat e transmetimit të sëmundjes është edhe përdorimi i pajisjeve të përbashkëta gjatë qethjes së deleve, nëse ato nuk dezinfektohen siç duhet. Për këtë arsye, blegtorëve u është bërë thirrje të mos përdorin pajisje të përbashkëta pa dezinfektim dhe të respektojnë masat e përcaktuara nga shërbimet veterinare.
 
FARIJE DAUTI BAKIU